Kreu i AGK-së, Xhemajl Rexha, kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj dhe juristja e medias, Flutura Kusari, kanë mbajtur sot një konferencë të jashtëzakonshme për media ku të tre njëzëri kanë shprehur shqetësime të thella lidhur me tendencën e Qeverisë së Kosovës për të kontrolluar mediat online, përmes një projektligji që synon t’i vendos nën kontrollin e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) që mbikëqyr televizionet dhe radiot, shkruan Gazeta Express.
Kreu i AGK-së, Xhemajl Rexha, ka thënë se konferenca është thirur për të bërë publike vërejtjet për ligjin e ri për KPM-në e që ndikojnë direkt në punën e mediave online.
Rexha ka thënë se kanë pasur një takim me shefin e stafit të Kurtit në vitin 2022 dhe zyrtaren ligjore të Zyrës së Kryeministrit për t’i marrë parasysh të gjitha vërejtjet.
“Ndryshimet i shohim si një përpjekje të re të Qeverisë aktuale për t’i sulmuar mediat dhe për t’i kontrolluar ato, sepse parashihet që KMP t’i monitorojë, kontrollojë dhe t’i ndëshkojë mediat online që kanë përmbajtje të videove. Duke përfshirë edhe nevojën për licencim. Këtë e shohim si sulm të Qeverisë ndaj mediave, meqë konsiderojmë se duhet të vazhdojë vetërregullimi i deritashëm dhe të merret parasysh konteksti lokal i zhvillimet të mediave”, ka thënë Rexha.
Ai ka bërë thirrje që Qeveria të tërhiqet dhe të ftohet për dialog për mediat dhe shoqërinë civile për të diskutuar lidhur me këtë çështje.
Flutura Kusari ka thënë se ky Projektligj që është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë katër ditë para viti të ri 2024, tenton ndryshim radikal mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video.
Ajo ka thënë se këto ndryshime janë në kudnërshtim flagrant me standartet e Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë, derisa ka shprehur edhe shqetësimet e saj se KMP është një institucion i ndikuar politikisht.
Kusari ka thënë se gjoba e parashikuar prej 40 mijë eurove është shqetësuese meqë është një shumë e mjaftueshme për të mbyllur një media online.
Juristja e të drejtës së medias thotë se kjo është një përpjekje e Qeverisë për të kontrolluar mediat online përmes licencsimit dhe se është sulmi i radhës ndaj mediave.
“Aparati shtetëror do të përdoret lehtësisht kundër secilit medium online nën kërcënimin e gjobave të mëdha deri në 40 mijë euro”, ka thënë ajo tutje.
Flutura Kusari thotë se ky projektligj është përpjekja e radhës e Qeverisë për të disciplinuar mediat online dhe thekson se asnjë palë e interesit s’është konsultuar gjatë hartimit.
“Kërkojmë nga Zyra e Kryeministrit që ta tërheq këtë Porjektligj nga Kuvendi”, ka theksuar Kusari, duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim në hartimin e një Ligji të ri.
Kreu i KMSHK, Imer Mushkolaj, ka thënë se tashmë Qeveria po provon t’i vendos nën kontroll mediat online përmes KMP. Ai ka thënë se media e shkruar në Kosovë vetërregullohet dhe se qëllimi i ligjit të ri për KMP është dobësimi i Këshillit të Mediave të Shkruara.
“Kjo që po bën Qeveria është ajo që ka synuar ta bëjë Edi Rama para tre vitesh. E shoh si një kopjim të idesë që e ka pasur kryeministri i Shqipërisë atëherë”, ka thënë Mushkolaj.
“Qeveria po synon të vë kontroll mbi mediat online”, ka shtuar tutje Mushkolaj.