Intervista/ Shpëtim Selmani: Nuk mund të shpëtoj nga ajo që ndodh brenda meje - Gazeta Express
string(75) "intervista-shpetim-selmani-nuk-mund-te-shpetoj-nga-ajo-qe-ndodh-brenda-meje"

Arte

Gazeta Express

01/12/2023 16:32

Intervista/ Shpëtim Selmani: Nuk mund të shpëtoj nga ajo që ndodh brenda meje

Arte

Gazeta Express

01/12/2023 16:32

Intervistë me Shpëtim Selmanin, prozator, poet, dramaturg dhe aktor; fitues i çmimit Evropian për Letërsi më 2020

Shpëtim Selmani është shkrimtar dhe aktor, i lindur me 1986. Ka studiuar në

Universitetin e Prishtinës. Si aktor performon në skenën kosovare dhe jashtë saj. Ka botuar një numër librash: Shënimet e një Grindaveci, 2015 publikuar nga Multimedia. ‘Poezi të zgjedhura’ 2010-2017 – Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit (Multimedia, 2017, Prishtina). Libërthi i dashurisë, 2019 nga Armagedoni në Prishtinë. Me ‘Libërthin e Dashurisë’, Selmani u nderua me çmimin e BE-së për letërsi, në vitin 2020 dhe libri u botua në gjuhën gjermane dhe franceze.

‘Balada e Buburrecit’ (2022) së fundmi është botuar nga ‘Dukagjini’ ndërsa në italisht nga Corccetti Editore. Selmani fitoi çmimin ‘Crystal Vilenica’ për poezi, në Slloveni. Libri i tij i fundit është ‘Manifest Des Uberlebens’ publikuar nga Parasitenpresse, me poezi të zgjedhura të përkthyera nga Zuzana Finger.

Intervistuan Donjeta Abazi & A. Idrizi

«Ndihem tepër i lumtur dhe në të njëjtën kohë i bekuar që përkthehem vazhdimisht nga gra të fuqishme»

Gazeta Express: Zoti Selmani, këtyre ditëve u botua në gjermanisht një përzgjedhje e poezive tuaja. A mund të na jepni ndonjë hollësi?

Shpëtim Selmani: Po, libri është një selektim poezish nga përkthyesja Zuzana Finger, e cila me vite jep një kontribut të rëndësishëm në përkthimin e letërsisë shqipe së bashku me Peter Ludewig. Zuzana Finger ka përkthyer autorë të ndryshëm dhe padyshim mbetet njëra ndër kontribueset më të mëdha të letërsisë bashkëkohore shqipe. Libri është botuar nga shtëpia botuese Parasitenpresse në krye me Adrian Kasnitz. Ky është libri im i dytë përkthyer nga po kjo shtëpi botuese. Janë poezi të shkruara ndër vite dhe padyshim se i kam besuar selektimit të Zuzanës meqë ka vite që përcjellë punën time me një kujdes të vecantë.

GE: Ndërkohë jeni përkthyer në frëngjisht dhe në italisht me prozën tuaj…

Sh.S.: Po në frëngjisht është botuar Libërthi i Dashurisë përkthyer nga Festa Camaj Molliqaj ndërkohë në italisht është botuar Balada e Buburrecit përkthyer nga Fatjona Lamçe. Ndihem tepër i lumtur dhe në të njëjtën kohë i bekuar që përkthehem vazhdimisht nga gra të fuqishme. Me një sens të hatashëm për letërsinë dhe më një kujdes të posaçëm ndaj punës sime për të cilën jam falendërues dhe e vlërësoj. Libërthi i Dashurisë para pak muajsh është përkthyer edhe në maqedonisht nga poetja Lindita Ahmeti. Po e vë edhe këtë në pah thjeshtë për ta ilustruar edhe më shumë të vërtetën që më kënaq dhe për të mos mbetur pa e përmendur dhe pa qenë falëndërues edhe ndaj Linditës.

«Unë shkruaj për veten dhe njëjtë sikurse Dan Fante kënaqem kur dikush e gjen veten brenda asaj që them. Dhe ky dikush për mua nuk ka një identitet të caktuar nacional. Është qenie njerëzore»

GE: Balada e buburrecit në italisht është pritur mjaft mirë; ka pasur një mori recensionesh vlerësuese. Çka e bën në këtë rast letërsinë tënde më të pranueshme, temat universale apo historia e veçantë e një populli te vogël të përvuajtur?

Sh. S.: Po duhet ta përmendim edhe rëndësinë e madhe që ka shtëpia botuese Crocetti. Pastaj më vjen mirë që e vlerësoni si të pranueshme. Por më lejoni të përmend një gjë. Kur shkruaj kurrë nuk e bëj për një qëllim të caktuar. As nuk e filloj që të arrij një objektiv të caktuar. Ka një vit e më shumë që ndihem i bllokuar dhe jashtë lojës së letërsisë. Natyrisht që do të doja të jetoja vetëm në saje të letërsisë. Por kjo nuk ka të bëjë me aktin e të shkruarit dhe zjarrit krijues. Unë shkruaj për veten dhe njëjtë sikurse Dan Fante kënaqem kur dikush e gjen veten brenda asaj që them. Dhe ky dikush për mua nuk ka një identitet të caktuar nacional. Është qenie njerëzore. Kudoqoftë.

«Nuk mund të shpëtoj nga ajo që ndodh brenda meje. Sidomos ndaj çasteve kur poezitë duan të dalin jashtë meje. Mbase është qesharake. E një shpjegim romantik»

GE: Të kthehemi te poezia, si lind një poezi e juaja?

Sh. S.: Natyrshëm. Lind nga një rrjedhë e vërshueshme brenda meje. Çdo vërshim është specifik. Unik dhe i pashmangshgmëm për mua. Nuk mund të shpëtoj nga ajo që ndodh brenda meje. Sidomos ndaj çasteve kur poezitë duan të dalin jashtë meje. Mbase është qesharake. E një shpjegim romantik. Por të paktën nuk po ju gënjej.

«Njerëzit të cilët në jetën time të vërtetë më kanë frymëzuar kanë qenë dhe janë një grup i mahnitshëm që dikur më kanë pranuar me zemërgjerësi. Xhevdet Bajraj, Shkëlzen Maliqi, Fadil Bajraj, Halil Matoshi e Jeton Neziraj. Ende i mbaj në mend ditët kur si një djalosh i ri kërkoja shoqërim me ta. Dhe i adhuroja për diçka që kishin. Ishin të lirë. Të pakompromis»

GE: Ju shkruani kryesisht poezi sociale, të angazhuar. Cilët janë poetët e huaj që do të mund të konsideroheshin se kanë ndikim në krijimtarinë tuaj dhe çfarë ka të përbashkët mes shoqërive të tyre dhe shoqërisë sonë?

Sh. S. Ndikimet janë të ndryshme. Një kohë kam qenë i mahnitur nga gjenerata Beat. Ende jam. Por letërsia është një oqean i madh. Dhe lundrimi është i patjetërsueshëm për hajvanët si puna ime. Prandaj gjej autorë të jashtëzakonshëm dhe gëzohem shumë. Kur zbuloj shkrimtarë të mirë. Pastaj një kohë ishin Infrarealistët që vepronin e shkruanin në Meksikë. Më pëlqejnë poetët që në çastin që bie nata merren peng nga njëmijë demon dhe nisen për në ferr.

Por megjithatë nuk ndalen së shkruari. Siç bënte Bolano. Ndërkaq njerëzit të cilët në jetën time të vërtetë më kanë frymëzuar kanë qenë dhe janë një grup i mahnitshëm që dikur më kanë pranuar me zemërgjerësi. Xhevdet Bajraj, Shkëlzen Maliqi, Fadil Bajraj, Halil Matoshi e Jeton Neziraj. Ende i mbaj në mend ditët kur si një djalosh i ri kërkoja shoqërim me ta. Dhe i adhuroja për diçka që kishin. Ishin të lirë. Të pakompromis. Talleshin me realitetin dhe përkisnin përtej kodeve të caktuara shoqërore. Ishin universal dhe pengje të një aksidenti. Por krenar dhe të dinjitetshëm. Ende i mbaj në zemër.

GE: Ju jeni edhe dramaturg dhe aktor në të njëjtën kohë. Gjithë këto forma të shprehjes tregojnë për një shpirt shumë të gjallë krijues…

Sh. S.: Por megjithatë një shpirt i cili ka momentet e veta të dëshpërimit. Ankesave dhe pyetjeve në erë.

/Gazeta Express