Kazantzakis (1883-1957), autor i romaneve të njohura si Zorba, Letër El Grekos, Kapetan Mihali, Tundimi i fundit, etj. Në epitafin e zgjedhur në varrin e tij shkruhet: “Nuk shpresoj asgjë. Nuk i tutem asgjëje. Jam i lirë”.
Athinë, 21 shtator 1902
Babai1 im i dashur i respektueshëm,
mbërrita këtu vetëm dje dhe jua dërgova një kartolinë me qëllim që t’ju informoj se kam arritur këtu pa asnjë problem; përnjëmend kurrë s’kam pasur një udhëtim më të mirë – nuk më zuri deti, as nuk pata të ftohtë. Brenga ime e vetme (sado e madhe) qe se po largohesha shumë prej jush, shumë larg dashurisë atërore dhe mëmësore. Tash jam njëmend i trishtuar për këtë, derisa nuk jam afër jush.
Një goxha ngushëllim në mes të trshtimit tim është se familja tek e cila po rri po ma bën qejfin tej mase. Konsiderata e tyre është e madhe dhe, pas së gjithash, nuk është thjesht një mëtim. Me të arritur ata veç e kishin supën gati, ashtu si edhe qumështin, kafen dhe shumë të tjera. Ma ka ëndja posaçërisht pastërtinë dhe cilësinë e ushqimeve të tyre. Kur u zgjova sot, ata më sollën qumësht, mandej më pyetën se çfarë doja që ata të gatuanin për mua sot. Me një fjalë, më konsiderojnë si një prej fëmijëve të tyre.
Dhoma në të cilën fle unë është rinovuar shumë këndshëm. Kanë sjellë një shtrat të ri. E kam këtu vaskën time të larjes, tavolinën time të punës, një tavolinë tjetër mbi të cilën vë librat, një raft për rrobat, në përgjithësi gjithçka që më nevojitet. Askush nuk hyn aty. Kam qetësi për studimet e mia. Një prej përpapërsive të tjera të kësaj familjeje është se ata janë nga një grup njerëzish shumë të mirë dhe për më tepër të zotë të më lidhin mua me njerëz të tjerë mirë të njohur. I biri i tyre, bashkëkohanik i imi, është në Universitetin Politeknik duke studiuar inxhinieri. Ai është vërtet i qetë, edhe tjetri e ndjek po atë shkollë dhe studion fort. Ai e njeh gjermanishtën. Duek qenë se edhe unë po ashtu dua të nxë atë gjuhë ngase do të më jetë jashtëzakonisht e dobishme, kam vendosur për këtë arsye të përfitoj nga kjo mundësi dhe ta marr të më japë mësime. Ai pranoi me shumë kënaqësi, kështu që do të filloj mësimet e gjermanishtës më 1 tetor. Në këtë mënyrë do t’i shmang harxhimet mujore për një mësues që do të më duhej ta angazhoja.
Zoti Stagalis është pesëdhjetë a pesëdhjetë e pesë vjeç dhe shumë i edukuar. Ai është një person llafazan i rendit të parë. Është shumë i disiplinuar. A e ka rregulluar për ne të jemi në tavolinë për drekë saktësisht kur bie zilja dhe në mbrëmje në orën tetë. Ai dëshron që unë të kthehem rreth orës tetë në mbrëmje. Kur unë dal jashtë paskëtaj, më duhet të shkoj për një shtëtije bashkë me familjen. Kjo më pëlqen vërtet shumë; për mua është një mënyrë të shmang shumë rreziqe. Ai ka diçka tjetër që më pëlqen më shumë se gjithçka tjetër: është shumë i dhënë pas frutave.
Zonja Stegali, rreth të dyzetave, kujdeset fort për mua. Pikërisht tash që po ju shkruaj, ajo po ma bën gati shtratin. Karakteristikë e saj është se ajo tregon shumë kujdes sa i përket shëndetit. Mbrëmjen e kaluar unë desha të dal mbi çati të ulem pak dhe të marrë ajër të pastër dhe ajo më detyroi ta vesh xhaketën dhe ta mbërthej. Kur dola jashtë, kishte goxha lagështi, kështu që ajo më detyroi të kthehem dhe të ulem në dhomën e ndejës, ku ishte nxehtë. Ajo e njeh italishten bukur mirë; rrjedhimisht, unë do të përfitoj edhe nga kjo.
Po ju shkruaj teksa ende jam i lodhur nga ecja e djeshme. Sot mëtoj të shkoj në Akropolis; kësodore do të shoh pjesën më të mirë të Athinës dhe, pasi të fillojë mësimi, do të mund të shkoj në klasë rregullisht, pa ndonjë merak tjetër, ngase, ati im i nderuar, siç jua thashë më lart, dua të punoj. Fatbardhësisht, i biri i familjes me të cilin jam duke studiuar do të më japë shembull, duke qenë se ai është më i miri i Politeknikut.
Teksa po ju shkruaj, deëgjova zhurmën e këtij qyteti të gjerë përmes qepenave të dritareve të mia. Njeriu këtu e ndien njëmend se është në një megalopolis.
Gazetashitësit duke bërtitur teksa vejevijnë; bakallxhinjtë, shitësit e qumështit, karrocierët; tramvajet duke shkuar e ardhur vazhdimisht.
Nesër – e diel – do të shkoj ta vizitoj profesor Mistriotisin2. Siç e shihni, i dashur baba, pesë a gjashtë ditë i nevojiten dikujt të ngulet diku dhe të mësohet me atë jetë të re.
Ju lutem thuani mamasë të mos mërzitet pse jam kaq larg saj. Kjo ndarje duhej të ndodhte dhe, veç kësaj, unë kam fatin e mirë të mund të gjej këtu, po ashtu, një kujdes amësor bukur të madh. Po ashtu, përcillja motrës sime gjithp urimet e mia më të mira.
Është, baba i nderuar, përnjëmend e trishtë për dikë të largohet prej babait të tij, nënës, nga motrat dhe vëllezërit; sidoqoftë, kjo duhet të ndodhë për sa dëshiroj të bëhem një qenie e vërtetë njerëzore një ditë dhe të mos turpërohem ta quaj veten biri juaj.
Pra, prindërit e mi të dashur: durim! Dashuria dhe respekti im për ju rritet këtu larg prej shtëpisë. Veç kësaj, ju do të merrni letra nga unë brenda një periudhe të rregulltë dhe shpresoj se në to gjithmonë do t’ju them se jam e shëndet të mirë dhe po më ecën mbarë.
Doja t’ju shkruaja më shumë, po çka? Tashmë jua thashë atë që është më e rëndësishmja: jam i kënaqur me familjen këtu.
Urimet e mia më të përzemërta xhaxha Manolakisit. Unë vç isha larguar kur ai deshi të më thoshte lamtumirë dhe jam shumë i sigurt se ai më do më shumë se që mund të dojë një xhaxha. Urimet më të mira po ashtu edhe për gruan e tij, emtë Lenakin, dhe gjithë familjes së saj. Emtë Chrysanthit dhe Theoharisit; xhaxha Nikolakisit; zotit Theakakis dhe gruas së tij.
Posaçërisht Nikos, të cilit i lutem të më shkruajë nganjëherë po deshi. Urimet më të mira zotit Ioannis – më vjen shumë keq sepse e pashë vetëm atëherë kur po largohesha; kujdesi i tij për Akladhën nuk mund të harrohet lehtë.
Urimet më të mira Yannis Karouzos, zotit Ioannis Kasimatisit dhe përgjithësisht çdonjërit që e njoh. (Mund të kem harruar ndonjërin në këtë moment).
Veçanërisht përshëndetjet e mia më të mira dhe respektet më të ndiera nënës sime të dashur. S’duhet të qajë, unë po ia dal për merak këtu dhe, veç kësaj, s’do të kalojë shumë kohë dhe do ta takoj prapë – muajt po ikin fluturimthi. Po ashtu edhe Anastasias dhe Elenit, që më mungojnë shumë. Po ashtu Yannisit, që më do aq shumë; edhe Despinës.
Më tej, urimet e mia më të mira të gjithë të njohurve të mi; mund të kem harruar ndonjërin tash.
Në këtë moment nuk kam ndonjë gjë tjetër t’ju shkruaj.
Me përqafimet dhe puthjet më të zjarrta,
biri juaj i dashur,
Nikolaos
P.S.
Në momentin që isha duke e nënshkruar letrën, zonja Stagali m’u lut t’jua dërgoj përshëndetjet e saj më të mira dhe po ashtu të të shoqit të saj.
Adresa ime është:
Zoti Nikolaos Kazantzakis
Student i drejtësisë
Rruga Aleksandi i Madh, nr. 46A
Athinë
Shënime:
1 Babai i nderuar (dhe të cilit ki ksihte drojën) i Kazantzakisit, Mihalis Kazantzakis (1856–1932), ishte nga një familje që banonte në fshatin Varvari (tash Myrtia), 15 kilometra nga Iraklio. Muzeu Kazantzakis është vendosur aty, në sheshin publik.
2 Profesor Mistriotis: Georgios K. Mistriotis (1840–1916), profesor i letërsisë së vjetër greke dhe rektor i Universitetit të Athinës, i specializuar në Homerin.
/Marrë nga: The selected letters of Nikos Kazantzakis, Princeton University Press, 2012
/Përkthimi: Gazeta Express