Problemi i vërtetë i Kosovës - Gazeta Express
string(28) "probleme-i-vertete-i-kosoves"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

16/12/2022 13:21

Problemi i vërtetë i Kosovës

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

16/12/2022 13:21

Shteti i Kosovës është i super bekuar që ka garantues vendet më të përparuara të botës në krye me Amerikën

Ndue Ukaj


Kosova vërtet ka mosmarrëveshje të thella e historike me Serbinë, por problemet më të mëdha që disa vjet i ka me vetveten, me krizën e vet politike, të cilën e kanë sajuar mashtruesit, mediokrit e urrjejtnxitësit – që si ushejza i janë ngjitë politikës dhe e kanë helmuar me ide të këqija.

Prandaj sot nuk bëhet fjalë për normalitet politik.

Janë degraduar frikshëm raportet me perëndimin, në krye me Amerikën – e për mua degradimi i këtyre raporteve është degradim i Kosovës dhe të ardhmes së saj politike.

Kosova udhëhiqet pa ide e pa vizion politik.

Në mungesë të ideve e vizionit politik, udhëheqësit stimulojnë gjuhën e pjerdhur politike, një gjuhë shterpe që nuk sjell përparim e as lumturi për njerëzit e këtij vendi, por sjell veç mjerim, përçamje e degradim.

Problemi më i madh i Kosovës është mosaftësia për ta zhvilluar atë. Është mosaftësia për të bërë shkolla normale, ku edukohen brezat e rinj; mosaftësia për të bërë libra shkollorë normalë që rrisin formimin e edukimin e njeriut tonë; mosaftësia për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi; mosaftësia për të përfituar nga të mirat globale projekte zhvillimore ekonomike që sjellin vende pune dhe mirëqenie, rrjedhimisht progres.

Zhvillimi i vendit nuk bëhet me politika shterpe, me demagogji, parulla primitive patriotike, por me ide e strategji të mirëmenduara, me profesionistë që punojnë me devocion e dashuri dhe para se gjithash me miq.

Prandaj, duhet të jemi racional dhe ta kuptojmë se nuk është problem madhor i Kosovës asociacioni, kufiri, shkëmbimi i territoreve, Serbia, korrupsioni, por udhëheqësit mashtrues, mediokër, të trullosur, inferiorë, që me politika shterpe shtiren se bëjnë politikë.

Kur e analizon me çfarë gjuhe të mjerë politike falsin e arsyetojnë politikisht drejtuesit e vendit tonë, me sa pak respekt flasin për kundërshtarin, me sa përbuzje për miqtë, e kupton qartë – përse jemi në këtë gjendje të mjerueshme.

Qeverisja para se gjithash është kulturë dhe përfaqëson një mendësi kulturore.

Po të provosh të gjesh përgjigje në këtë pyetje, turpërohesh.

Sepse standardet e kësaj qeverie janë mendësia e kacafytjes, justifikimit, arrogancës, mllefit, izolimit…mendësi që nuk ka të bëjë asgjë me vlerat e demokracisë perëndimore.

Pra, problemi real i Kosovës janë udhëheqësit mashtruese, që po e lënë vendin të shkretë, në aspektin ekonomik, politik, social, shëndetësor, kulturor, arsimor…

Të diturit thonë: nuk ka politikë pa kulturë.

Po ta analizosh standardin kulturor të udhëheqësve të sotëm dhe gjuhën e tyre politike, e kupton drejt përse jemi në këtë gjendje.

Shteti i Kosovës është i super bekuar që ka garantues vendet më të përparuara të botës në krye me Amerikën.

Një dëshirë të tillë sot e kanë edhe shtetet e super zhvilluara të Europës.

Ne e kemi këtë dhuratë dhe po e përbuzim e po e pështyjmë.

Në emër të dokrrave patriotike.

Duke e përbuzë këtë dhuratë, po përbuzim Kosovën, po e përbuzim historinë e re të saj dhe po vejmë barrikadë të tmerrshme përpara së ardhmes.