Sporti në Express zgjedh formacionin më të mirë të Botërorit deri më tani - Gazeta Express
string(73) "sporti-ne-express-zgjedh-formacionin-me-te-mire-te-boterorit-deri-me-tani"

Sporti në Express zgjedh formacionin më të mirë të Botërorit deri më tani

Botërori 2022

Gazeta Express

08/12/2022 23:19

Redaksia e sportit në Gazetën Express e ka zgjedhur formacionin më të mirë të Botërorit deri më tani. Aktualisht, deri më tani ka kaluar 1/8 e finales së Kupës së Botës, kurse prej nesër do të fillojë faza çerekfinale.

Gazeta Express ka zgjedhur në portë portierin e Marokut, Yassine Bounou i cili ishte vendimtar në kualifikimin e Marokut në çerekfinale, duke pritur tri penallti të Spanjës, kurse në katër duelet e zhvilluara deri tani, e ka pranuar vetëm një gol.

Në qendër të mbrojtjes është dyshja Josko Gvardiol i Kroacisë dhe Thiago Silva i Brazilit. Gvardiol është gjetja e Botërorit deri më tani, i cili po tregon paraqitje fantastike si 20 vjeçar. Në anën tjetër, Thiago Silva ishte lideri i mbrojtjes së Brazilit, që ka pranuar vetëm një gol deri më tani në katër duele. Kurse, Thiago Silva e ka edhe një asistim në këtë Botëror.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Denzel Dumfries i Holandës. Dumfries kishte paraqitje të mira edhe në fazën e grupeve, kurse shpërtheu në 1/8 e finales kur shënoi një gol dhe asistoi në dy të tjerë, duke qenë i pakompromis. Në krahun e majtë është Theo Hernandez, i cili po shkëlqen në Botëror, ndërsa ka dy asistime në tri duele të zhvilluara.

Mesfusha përbëhet nga Casemiro, Jude Bellingham dhe Bruno Fernandes. Casemiro është lojtari kyç i mesfushës braziliane. Ai e shënoi golin e fitores në ndeshjen ndaj Zvicrës, duke ia dhuruar tri pikët ekipit të tij. Jude Bellingham te Anglia po tregon potencialin e vërtetë që e ka, me paraqitje fantastike. Ai ka një gol dhe një asist në këtë Kupë Bote. Ndërsa, Bruno Fernandes është lojtari kryesor i Portugalisë deri më tani. Ai ka dy gola dhe tre asiste.

Në sulm është përzgjedhur treshja Kylian Mbappe, Cody Gakpo dhe Lionel Messi. Po e nisim me këtë të fundit. Shtatë herë fituesi i Topit të Artë edhe njëherë tjetër po e bart kombin e tij drejt majave. Ai ka tre gola dhe një asist deri më tani. Mbappe është ylli i Francës edhe në këtë Botëror. Pesë gola dhe dy asiste janë statistika të mjaftueshme për ta merituar pozitën në formacion. Cody Gakpo është lojtari vendimtar në Holandë. Gakpo ka tre gola të shënuar, teksa dështoi të realizonte vetëm në fitoren ndaj ShBA-së, 3:1.

Kurse, për trajner është zgjedhur Walid Regragui i Marokut, i cili ka bërë befasinë në këtë Botëror.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm