Religjioni dhe ateizmi human - Gazeta Express
string(28) "religjioni-dhe-ateizmi-human"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

31/10/2022 10:41

Religjioni dhe ateizmi human

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

31/10/2022 10:41

“Katër besime të ndryshme, nuk kanë zënë rrugë në zemrën e një populli pagan“
– ka thënë Fan Noli për shqiptarët.

Pal Shtufi


Po, ky është fakt i pamohueshëm. Historia dhe e sotmja dëshmojnë që, në shtrirjen e tyre historike, shqiptarët më shumë kanë qenë të lidhur me paganizmin se me besimet monoteiste. Arsyet mund të jenë të ndryshme, por njëra duket që është më e madhja dhe më vendimtarja në ndërrimin e feve të shqiptarëve: shqiptarët asnjëherë në asnjërin religjion nuk kanë qenë të bindur në predikimet dhe “mrekullitë” e ofruara nga predikuesit e kohërave të shkuara.

EPOKA E HUMANIZMIT

Dy dekada pas Luftës së Dytë Botërore, pra pasi Evropa u ngop me luftëra dhe gjak dhe pasi Amerika i ofroi shembullin e të jetuarit ndryshe – jo në hasmëri me fqinjët – filloi epoka e humanizmit të vërtetë. Me një fjalë, ra ndikimi i religjioneve dhe brenda viteve 1980-2000 qetësisht shfaqet ateizmi human si bindje, si sjellje dhe si mënyrë e të jetuarit në harmoni me diversitetet shoqërore. Ky ateizëm në Evropën Perëndimore, nuk ishte si ai që keqpërdori komunizmi për qëllime të veta indoktrinare, por ishte origjinali: vetëm BINDJE për mos ekzistimin e zotave, por edhe MODEL i sjelljes humane në raport me të ndryshmet shoqërore.

RELIGJIONET JANË TEPRIM HISTORIK

Zhvillimi i hovshëm teknik dhe teknologjik në shekullin XXI, e ndihmoi procesin e komunikimit masiv në tërë globin dhe përshpejtoi edhe humanizimin e shoqërive perëndimore. Me këtë rast, edhe zhvillimi i ateizmit si bindje (jo si rrymë, jo si doktrinë, jo si ideologji!) shënoi shifra rekorde. Kështu, edhe bindja ateiste mbi jetën dhe fenomenet, bashkë me zbulimet epokale shkencore, e përshpejtuan të menduarit human deri në masën ku njerëzit i panë religjionet në teprimin e tyre historik.

TEPRIMET DUHET HEQUR…

Shtetet, të cilat e kuptuan se teprimet historike vetëdijshëm (jo dhunshëm) duhet të mënjanohen nga përditshmëria e shoqërive moderne, shënuan rritje enorme ekonomike, humane dhe demokratike. Dhe, shtetet që janë liruar nga teprimet historike – siç është religjioni në këtë rast– sot janë shtetet më të kërkuara për të jetuar në to. Që ta freskojmë mendjen rreth kësaj që po themi, t’i kujtojmë shtetet si Finlanda, Danimarka, Suedia, Norvegjia, Britania, Gjermania, Holanda, Belgjika, Zvicra, Japonia, Kanada etj. Sa për dijeni, në këto shtetet, ateizmi human ka arritur deri në 60 për qind.

RELIGJIONET DHE ROLI I TYRE HISTORIK

Historikisht, religjionet nuk kanë qenë vetëm të dëmshme dhe shkaktare luftërash. Në lashtësi, religjionet kanë vënë bazat e edukimit. Librat e tyre kanë qenë kushtetutat e para të njerëzimi, në të cilat janë shkruar kodet morale dhe të sjelljes njerëzore. Si rezultat, mbi këto shkrime janë themeluar shtetet e para, të cilat kanë përdorur drejtësinë dhe moralin, gjë që i ka bërë njerëzit të dallojnë dukshëm nga epokat paraprake – krejtësisht të egra. Pra, për kohët primitive dhe shumë të egra të njerëzimit, 4200 religjionet kanë qenë prurje humane.

BESIMET NUK ZHDUKËN, ATO PAKËSOHEN

Mendoj që në planetin tokë gjithmonë do të kemi njerëz, të cilët do të kenë nevojë të besojnë. Thjesht, nevojë psiko-emotive, pavarësisht arsyes dhe fakteve shkencore. Për shembull, të gjithë e dimë që një ilaç i caktuar, të cilin shkenca e ka zbuluar, shpëton jetën e njeriut. Megjithatë, ka miliona e miliarda njerëz, të cilët sapo të shërohen, i falënderohen zotit për shpëtim.

Pastaj, ka njerëz, të cilët sapo hasin një mister jete, toke ose kozmosi, ata më lehtë ia hedhin “atributet” ndonjë zoti për atë mister se sa lodhin mendjen për të zbërthyer ndonjë gjë, po nga ai mister. Dihet mirëfilli, jo të gjithë njerëzit e kanë të njëjtë sistemin kognitiv dhe të arsyes, prandaj një pjesë e tyre më parë do të kërkojnë të besojnë në fuqitë sipërore, se t’i rrekën hulumtimit ose gjurmimit të së vërtetës jo të lehtë.

IMPONIMI…

Asgjë e keqe, nëse kategori ose shoqëri të caktuar njerëzore besojnë në zotat që ata i imagjinojnë si të mirëqenë. E keqja bëhet e madhe dhe e padurueshme kur njerëz të tillë fillojnë dhe ua imponojnë dhunshëm fëmijëve të tyre këto besime (kujtojeni si e kemi marrë besimin religjioz kur kemi qenë fëmijë. Kujtojeni, a kemi pasur alternativë tjetër).

Fëmijët, të cilët që në vegjëli u imponohet besimi, ata, sapo të rritën, do të fillojnë imitimin e modelit të dhunshëm, sepse ata nuk njohin model tjetër pos atë të imponimit.

ATEIZMI HUMAN SHPËTON NJERËZIMIN

Ateizmi nuk është doktrinë konkurrente e religjioneve, por as kundër religjioneve. Ateizmi human është shtrirje e domosdoshme e mendësisë dhe arritjeve shkencore të njeriut. Pra, është domosdoshmëri kohe. Është bindje njerëzore e cila harmonizon kundërtitë e jetës, sepse vetë është produkt i kundërtive dhe i arritjeve gnoseologjike.


Ateisti human, duke besuar në njeriun, në vlerat e tij, në dashurinë dhe në mirësitë e tij të pafund, atij nuk i duhet ndërmjetësues përtej qiellor, i cili do ta “këshillonte” si të sillej me njeriun në tokë.


Të mosbesuarit në zot, rrit besimin në njeriun dhe në fuqitë e tij të pafund të njohjes. Beson në gnoseologjinë e gjërave dhe në rregullin absolut gnoseologjik, i cili na mëson: „e panjohura e sotme është e njohuara në të ardhmen“

Si rrjedhim, e panjohura s’ka kuptim të quhet zot, për faktin që është e panjohur. Për më tepër, e panjohura është motiv dhe motor që vë në lëvizje vullnetin për hulumtim dhe njohje të reja. Ky proces nuk ndalet kurrë, sepse njohja nuk ka fund. Prandaj ateisti beson në proces të njohjes, ndryshimit dhe në fuqitë e njeriut – në tërë procesin jetësor.


LAJM I MIRË

Edhe në Kosovë është rritur ndjeshëm numri i ateisteve dhe ateistëve. Ky tregues, njëkohësisht është edhe tregues i prosperitetit, sepse ateizmi është dashuria për njeriun, prosperitetin, vlerat, shkencën dhe botëkuptimin mbi natyrën.