Svetlana Timofoeva 33-vjeçarja ruse e arrestuar të shtunën së bashku me dy të huaj të tjerë pasi kishin tentuar të hynin në uzinën ushtarake të Gramshit, duke lënduar edhe dy efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, raportohet se është një asset i rëndësishëm për Rusinë.
Të paktën kështu e ka konsideruar edhe eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, shkruan Express.
“Përmenda dje si metaforë dhimbjet e kokës së Kremlinit, por pak kush e kuptoi. Kur ata i konsiderojnë asete ndërhyjnë menjëherë për ti liruar. Dhe në fakt me gjasa ajo po ndodh. Me dhjetra emaile po shkëmbehen dhe disa takime diplomatike po planifikohen, me synimin për të liruar Lanën. Por me një shtet të NATOS do e kenë pothuajse të pamundur. Gjithsesi, Gledisi vajti dje urgjentisht në Elbasan dhe rriti masat e sigurisë në qytet, se ekziston edhe rreziku i ndonjë operacioni nga njësia 29155 e GRU për ti liruar me pahir ose për ti eleminuar. Disa prej tyre vërtiten lirisht në Mal të Zi dhe nuk e kanë të vështirë të penetrojnë në territorin tonë. Kanë tentuar ta bëjnë në 2 raste në Poloni dhe një rast në Lituani. Historia e Qerretit është një ngjarje nga e cila duhet të nxjerrim të gjithë mësime. Çdo opsion është i mundshëm”, shkruan ai.
Por kush është Svetlana Timofoeva?
Në rrjet Svetlana prezantohet si fotografe dhe blogere. Fotografitë e saj janë publikuar në media të ndryshme ndërkombëtare, si CNN dhe Daily Mail. Pseudonimi i saj është Lana Sator.
Ka realizuar fotografi në Katedralen e Notre Damme në Paris. Pas djegies në vitin 2019 u publikuan edhe në CNN. 33-vjeçarja duket se është e apasionuar pas gjërave të vjetra, këtë e tregojnë fotot e shumta që rusja ka shkrepur në këto zona.
Dhjetë vite më parë ajo udhëtonte në Rusi dhe vendet e ish-Bashkimit Sovjetik për të fotografuar bazat ushtarake të braktisura.
Së bashku me dy të tjerët rusin 24-vjeçar, Mikhail Zorin, dhe një shtetas me pasaportë ukrainase, Fiodor Mihailoviç 25 vjeç u arrestuan për sulmin në uzinën e Gramshit. Gjatë ditëve të fundit kanë fotografuar edhe baza të tjera ushtarake në Shqipëri. Ata kishin hyrë në Shqipëri në fillim të Gushtit të ndarë nga njëri-tjetri por më pas kanë udhëtuar në disa vende përfshi edhe Gramshin.
Teksa ka publikuar disa foto nga bazat ushtarake në Shqipëri Sveltana shkruante se eksplorimi i tyre mund të jetë i rrezikshëm.
“Eksplorimi i këtyre bazave mund të jetë i rrezikshëm, sepse ka roje sigurie në territorin e bazës ajrore, por sapo të hyni brenda në bunker do të jeni të sigurt”– shkruan rusja e arrestua.
Për Prokurorinë e Elbasanit e cila ka në dorë hetimet, 3 të rinjtë nuk janë thjesht blogerë por dyshohen për spiunazh. Hetimi po orientohet për të verifikuar çdo lidhje të mundshme me shërbimet sekrete të huaja. Ndaj tyre janë ngritur 3 akuza, mes të cilave edhe sigurimi dhe dhënia e informacioneve ushtarake.
/Gazeta Express