string(52) "poezia-e-javes-fatos-arapi-si-ste-desha-pak-me-shume"

Arte

Gazeta Express

03/06/2022 17:04

Poezia e javës / Fatos Arapi: Si s’të desha pak më shumë

Arte

Gazeta Express

03/06/2022 17:04

Fatos Arapi (19 korrik 1930 – 11 tetor 2018) ka qenë një poet, novelist, përkthyes dhe gazetar shqiptar. Shkrimet e Arapit janë çmuar shumë nga lexuesit dhe bashkëkohësit e tij, për të cilat ka marrë çmime të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

U lind, pranë qytetit të Vlorës, ku kreu shkollimin fillor dhe të mesëm. Studimet e larta i ndoqi në Sofie të Bullgarisë për ekonomi, më pas u kthye të punonte në Tiranë si gazetar dhe lektor për letërsinë moderne shqipe. Puna e tij e parë ishte në vitin 1953 në Komisionin e Planit të Shtetit si Kryetar i Degës së “Artizanatit dhe Industrisë Lokale”. Në vitin 1954 ai u transferua në Teknikumin Financiar si mësues i asaj shkolle (Qyteti i Nxënësve) ku dha lëndët: Statistikë, Planifikim dhe Ekonomi Politike. Ai ka punuar pedagog i Ekonomisë në Institutin Bujqësor, po kështu gjatë viteve 1959 – 1966 ka qenë pedagog i Ekonomisë Politike në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës.

Në vitin 1966 u dërgua në qarkullim, në Vlorë, ku punoi si mësues i shkollës tetëvjeçare “Ismail Qemali”, rreth katër vjet (mars 1966 – gusht 1969). Në vitin 1971 ai u emërua pedagog në Fakultetin Histori–Filologji, Universiteti i Tiranës. Në vitin 1973 (pas Plenumit IV) u dërgua në shkollën e mesme të natës “Sami Frashëri”, Tiranë, ku qëndroi 10 vjet deri më 1983.

Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”. U kritikua më 1973 për vëllimin Drama e një partizani pa emër, qëndroi për shumë kohë gati në heshtje deri më 1989.

Si s’të desha pak më shumë

Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…

Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.

Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:

“Si s’të desha pak më tepër…”.

***

Nga: Donjeta Abazi

Poezia e Arapit “Si s’të desha pak më shumë” u bë personifikimi i autorit jo pse tjerat shkrime e poezi nuk thanë më shumë, por sepse me një poezi 3 strofash i tha krejt për dashurinë. Dashurisë autorët i shkruan kur ishin të thyer, për përvoja të humbura, kujtime që mbeten veç të tilla e për mall të venitur kilometrave por rrallë herë e rrallë kush i shkroi dashurisë si Fatos Arapi me kaq entuziazëm kur ishte në pikën më të lartë.

Pos vargjeve që i thonë tjetrit se si duhet dikush autori e ruan një pjesë interesante për poezinë duke mos u mjaftuar me aq e që bash kjo është pika e vargjeve që mbahet mend veç me një herë lexim.

‘Si s’të desha pak më shumë’ shkapërderdhi emocionin e shkrimtarit pa korniza, pa kufij e pa ngurtësim, gjithçka në ketë poezi është naive e çiltër e pa pikë pengu.

Edhe në këtë shkrim pasionant nuk mungon ndarja, por poeti nuk vendos ta lërë primare, sepse çka posedon ai për dashurinë nuk njeh ndarjen si akt përfundimtar por si diçka që nuk është dashur të ndodhë.

Gruaja e poezie së Arapit rri mes Zotave, poeti e bë atë hyjni dhe këtë e bën pikërisht për t’i lënë një shije tamam të ëmbël lexuesit sepse është vargu i parafundit i poezisë.

Me këtë poezi Fatos Arapi ka tejkaluar gjithë shkrimtaret tjerë në tematikën e dashurisë e pasionit dhe ketë e ka bërë pikërisht me 3 strofa, specifikisht 12 vargje.

/Gazeta Express