Mbjellja e jotolerancës, nxitja e urrejtjes sanksionohen me ligjet në fuqi. E nëse ato qëndrime të kundërligjshme vijnë pikërisht nga ligjvënësit, atëherë gjendja bëhet aq e komplikuar dhe absurde sa për një moment të të humbë filli dhe të mos e dish më as ku je; nuk e di më a je në ndonjë tempull fetar të temjanisur nga injoranca, apo në ndonjë kafene idiotësh të mbytur nga tymi i duhanit
Arben Idrizi
Dje dështoi, në Kuvendin e Kosovës, të miratohej ligji për Kodin Civil, i cili, në nenin 1389, parashihte edhe lejimin e bashkësive civile.
Kjo ishte një seancë e turpshme. Vetë deputetët e pozitës votuan me shumicë kundër ligjit të propozuar nga vetë qeveria. Shto këtu edhe qëndrimet e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së që injoruan votimin, me një hipokrizi dhe homofobi të paparë.
***
«Jam zbukuruar: që të shkoj, i bukur, te një person i bukur». Këtë e thotë Sokrati, te ‘Banketi’ (174a). Pra, te libri mbi Amorin, dashurinë. Dhe mikpritësi i tij, «i bukuri», është Agatoni, një i ri që e ka zëvendësuar Alkibiadin – i cili më pas do të ketë shumë për të thënë në lidhje me këtë – në dashuritë e filozofit të madh.
Mund ta lexojmë këtë edhe në çelësa përtej thjesht estetikë. I bukur, për të bukurin, (të) bukur për të bukurën. Do të thotë, i bukur shpirtërisht, i hijshëm moralisht, i përshtatshëm, i virtytshëm, i përgatitur intelektualisht, i edukuar, i njerëzishëm për atë që e kërkon dhe meriton pikërisht një gjendje të tillë, një nivel të tillë. Më tej, e bukura është e drejta. I drejtë për të drejtin. Përkatësisht, për atë që ka nevojë t’i njihet një e drejtë, e drejta; të cilit i është shkelur një e drejtë, e drejta. I drejtë i zgjedhur, sidomos kur ata që të kanë zgjedhur, për çfarëdo arsyeje, janë kundër disa të drejtave të disa personave. Sidomos!
Pra, siç thoshte Dostojevski: «E bukura do ta shpëtojë botën». Më tej, e drejta do ta shpëtojë botën. E mira – kështu është interpretuar zakonisht – do ta shpëtojë botën. E mira është një e drejtë. Por më tepër, e drejta është një e mirë. Një e mirë e përbashkët. E gëzojmë të gjithë, edhe kur nuk vepron drejtpërdrejt dhe gjithmonë në personin tonë. Në të njëjtën kohë, çdo cenim i saj, nga kushdo dhe në kurriz të kujtdo, është një e keqe e përbashkët. E pësojmë të gjithë, edhe kur nuk na prek drejtpërdrejt dhe gjithmonë në personin tonë.
***
Në diskutimin për nenin (dhe me gjer mbi martesat mes gjinisë së njëjtë) pati, në mesin e vetë deputetëve të pozitës, deri edhe qëndrime skajshmërisht homofobe. Nuk është se nuk diheshin paraprakisht qëndrimet e tyre, porse, shkoj me mendjen, në altarin ku më së shumti do të duhej të promovohej toleranca, mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë, ato fjalime do të duhej të sanksionoheshin. Nuk ishte çështje bindjesh, ishte çështje gjuhe, artikulimi. Mbjellja e jotolerancës, nxitja e urrejtjes sanksionohen me ligjet në fuqi. E nëse ato qëndrime të kundërligjshme vijnë pikërisht nga ligjvënësit, atëherë gjendja bëhet aq e komplikuar dhe absurde sa për një moment të të humbë filli dhe të mos e dish më as ku je. Madje, nuk e di më a je në ndonjë tempull fetar të temjanisur nga injoranca, apo në ndonjë kafene idiotësh të mbytur nga tymi i duhanit.
***
Bindja ime është se VV (kabineti qeveritar dhe deputetët e paktë në mesin e saj që ishin pro nenit) duhej të ishte më bindëse në kalimin e këtij neni. Deputetët nuk janë, në parim, në një altar të tillë thjesht për të përfaqësuar të drejtat ekzistuese të votuesve të tyre. Janë aty edhe dhe mbi të gjitha për të përfaqësuar të drejtat e komuniteteve (që mund të mos kenë qenë fare votues të tyre), të cilat, shumë herë, kundërshtohen, nëpërkëmbën, përçmohen dhe shkelen pikërisht nga votuesit e tyre. Kjo i bën më të zgjedhur se thjesht të zgjedhur. Edhe pse kjo, po ashtu, i bën edhe të zgjedhin zgjedhësin e ardhshëm, ndonjëherë edhe në dëm të vetes. Por, më e fismja, i bën t’i orientojnë zgjedhësit ekzistues drejt një debati dhe shoqërie më të hapur, më tolerante dhe më mirëkuptuese.
Nuk zgjidhesh vetëm për t’u zgjedhur; zgjidhesh edhe për të zgjedhur. Dhe për të zgjidhur. Për t’i zgjidhur disa probleme që i shkakton, ose i trashëgon dhe bën që të mbesin të tilla, zgjedhësi.
Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, hapi vendndodhjen e saj të sapo ndërtuar në...