Kur është në pyetje atdheu, gjithçka bie në ujë.
Harrohet profesioni, por harrohen edhe veturat, vilat, milionat dhe jeta luksoze në përgjithësi.
Njëjtë po veprojnë edhe sportistët dhe ish-sportistët ukrainas, të cilët iu përgjigjen thirrjes për mbrojtjen e atdheut nga agresori rus, shkruan “Gazeta Express”.
Numri i tyre nuk është i vogël.
Vetëm dy javë më parë, Dmytro Pidruchnyi garoi në Olimpiadën Dimërore me Ukrainën.
Por, ai është zhveshur nga uniforma sportive dhe e ka veshur atë të ushtrisë, si dhe helmetën në kokë.

Kampioni i botës në biatlon, i cili i kombinon skitarinë me qitjen, u rikthye në shtëpi nga Pekini javën e kaluar, vetëm pak para nisjes së sulmit ushtarak ndaj vendit të tij.
Ai dëshiron të marrë hak edhe për 19 vjeçarin, Yevhen Malyshev, dikur pjesë e ekipit kombëtar të Ukrianës në biatlon.

Ky i fundit thuhet se vdiq këtë javë derisa ishte në shërbim të ushtrisë ukrainase, shkruan “Gazeta Express”.
Pidruchnyi ndërkohë është njëri prej shumë sportistëve që iu bashkuan forcave të armatosura në mbrojtje të atdheut.
Serhiy Stakhovskiy u pensionua nga tenisi në muajin janar pas Australian Open.

Dhe, pasi Rusia e sulmoi vendin e tij, ai u rikthye në Ukrainë nga Hungaria, ku banon aktualisht, për t’ju bashkuar ushtrisë.
Edhe ish-kampioni botëror në boks, Vasyl Lomachenko iu bashkua mbrojtjes territoriale.

Aty është edhe kampioni aktual i botës, Olseksndr Usyk, i cili vitin e kaluar e rrëzoi nga froni Anthony Joshuan.
Usyk është nga Krimea, e cila ishte aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Edhe dy ish-kampionët e botës në boks, Vitali e Wladimir Klitschko tashmë janë bërë simbole të mbrojtjes ushtarake ukrainase.
Vitali është kryebashkiak i Kievit, kurse Wladimiri një këshilltar i besueshëm.

Edhe ata kanë thënë se janë të gatshëm të vdesin për atdhe, por edhe kanë kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, duke e pasur parasysh fuqinë ruse.

Kurse, kampioni olimpik në karate, Stanislav Horuna thotë se ukrainasit do ta vrasin çdo okupues”.
Edhe bota e futbollit i ka dhënë disa ushtarë në luftën e cila hyri në javën e dytë, shkruan “Gazeta Express”.

Trajneri i Sherifit, Yuriy Vernydub, e harroi fitoren historike me Real Madridin dhe iu bashkua ushtrisë.

Gjithashtu, nga fushëbeteja u paraqit edhe futbollisti i Shakhtar Donetskut, Viktor Korniyenko, i cili zotohet se do të mundohet ta shkatërrojë Rusinë.

Edhe futbollistë dhe sportistë të tjerë i janë bashkuar ushtrisë ukrainase, por edhe pritet t’i bashkohen në ditët në vijim.
Fatkeqësisht, deri tash tre sportistë dhe një trajner ukrainas ndërruan jetë pasi u qëlluan nga predhat apo raketat ruse.
Në këtë luftë u vranë edhe dy futbollistë ukrainas, Vitaliy Sapyło e Dima Martynenko.
Edhe trajneri i Kombëtares së Ukrainës në Çiklizëm, Aleksander Kulik, i cili i ishte bashkuar ushtrisë ukrainase, u vra derisa po mundohej t’i evakuonte civilët afër qytetit Suma. /Gazeta Express/

Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...