Shkruan Arben Idrizi: Rënia e Ikarit - Gazeta Express
string(14) "renia-e-ikarit"

OP/ED

Arben Idrizi

01/03/2022 15:55

Shkruan Arben Idrizi: Rënia e Ikarit

OP/ED

Arben Idrizi

01/03/2022 15:55

Lufta është përjashtim, një gjendje ekstreme, por me të nisur njëherë, menjëherë shndërrohet në një gjendje të rëndomtë të përditshme. Ku, shumë shpesh, të shkon koka si qenit, në mesin e një bote që ka sy por s’të sheh, që ka dhembshuri por s’të ndien, që të ndien por s’bën, s’mund të bëjë asgjë për ty

Arben Idrizi

Zhvillimet e fundit të invadimit rus në Ukrainë, përkatësisht rrethimi i Kievit, më solli në mendje tremujorin e fundit të luftës në Kosovë. Përkatësisht ato 78 ditë sa zgjatën bombardimet (plus ca javë më herët), kur unë bashkë me dy shokët e mi, Enver Ismajlin dhe Arsim Bilallin, ishim të ngujuar në një shtëpi, mbase të vetmit në lagjen e Dodonës. Tre shkretanë, të humbur dhe të pambrojtur, në pritje të më së keqes. Të cilët dëgjonin lajme me zë fare të ulët, si pëshpërime të dukevdekuri, nga një transistor me çikrik, që shpërndaheshin si ndihmë humanitare.

***

Tash, v(ë)mendja ime, ta zëmë në Kiev, nuk është aq te reporteri i luftës, profesionisti, sa te dëshmitari i heshtur, i panjohur, apo te “reporteri” i rrethimit, ai civili i mjerë që, falë teknologjisë së sotme, telefonit të tij, strukur diku në ndonjë bodrum të mykur, lidhet me ndonjë kanal emetimi dhe “raporton”, do të thotë rrëfen; rrëfen për atë që ai vetë dhe të ngjashmit e tij janë duke përjetuar dhe pritur: më të keqen.

Pikërisht kështu më bën vaki. Dhe aspak nga ndonjë ndjenjë egoizmi a mendjemadhësie. Përkundrazi.

Kur ia del, sido që t’ia dalë, të rrëfejë, ai rrëfimtar është – s’dua të them hero – një fitimtar në mënyrën e tij, në virtytin e tij, në mjerinë e tij.

***

E megjithatë, unë s’kam arritur kurrë ta them pothuajse asnjë fjalë të vetme për ta përshkruar dhe shtjelluar atë përjetim timin. Gjatë gjithë kohës ndieja një topitje truri, thua se vetë truri (e ndoshta është tamam kështu) ishte ai rregullatori automatik dhe i pagabueshëm që di dhe bën; i gjithëpushtetshmi. Kjo, gjithsesi, s’do të thotë aspak se frika dhe pasiguria zbuteshin a zhdukeshin. Aspak. Vetëm se, edhe sot e kësaj dite, është kështu: truri refuzon të hapet; i bën rezistencë të pathyeshme kujtesës dhe nevojës për “çlirim”. Ajo çfarë është është, po aq sa nuk është. Ajo çfarë ishte ishte, po aq sa nuk ishte.

Ndoshta ngase truri nuk arrin ta pranojë atë që jo vetëm e konsiderojmë të papranueshme, por edhe të pabesueshme, të habitshme, absurde. Më tepër kjo. Për një qenie njerëzore të arsyeshme është absurde që dikush ta marrë lehtësinë të keqtrajtojë e vrasë tjetrin. Sa më absurde, aq më absurde. Pra, aq më tepër truri nis e të mbyllet, si një lule e kërcënuar nga acari – deri në përfundimin më të keq.

E ta mendosh pastaj se, duke qenë shkrimtar, unë kam shkruar mbi luftën me dhjetëra poezi e tregime, thjesht duke u mbështetur në imagjinatën time, të ushqyer nga fushat e dijës më shumë se sa nga përvoja personale.

***

Me mendjen time, ne të ngujuarit e shkretë ishim, këta të ngujuar të shkretë janë, çdo i ngujuar i shkretë kurdo qoftë dhe kudo qoftë është si Ikari i Bruegel-it, një ikar i rëndomtë i përditshëm. Te ‘Rënia e Ikarit’, Bruegel-i paraqet një tablo të një përditshmërie të përbotshme: një bujk që lëvron arën, një bari që kullot grigjën, në deti anije të ankoruara e peshkuese; mirëpo, në një cep, gati se të pavërejtur nga shikimi i shpenguar, një pjesë e këmbës e një trupi që sapo është zhytur në ujë. Është Ikari, që po mbytet. Që u mbyt. Askush nuk e ka vërejtur, askush nuk e vëren, askush nuk do ta vërejë. Ai do të vdesë, në mjerinë e tij prej vdekatari të rëndomtë.

***

Bazuar pak a shumë në këtë pikturë, edhe autori polak Jaroslaw Iwaszkiewicz ka shkruar një tregim, me titullin Ikari. Pas një referimi te piktura, autori nxjerr në sipërfaqe Ikarin e tij, një djalosh që në pafajësinë e tij më të shenjtë, me zjarrminë e një lexuesi të pangopur, po lexon një libër, në pritje të tramvajit. Ama tramvaji është duke ardhur vetëm në çastin më të keq, pak pasi një makinë e Gestapos është ndalur para të riut dhe e ka arrestuar. Po, po por askush s’e ka parë. Askush nga gjithë ata persona në pritje të tramvajit, në vajtje-ardhje. Përveç autorit. Që është, tekembramja, po ashtu askush, askushi shembullor. I riu do të keqtrajtohet, do të torturohet dhe do të marrë fund, pa e ditur kush, pa e parë kush: një ikar i rëndomtë i përditshëm i luftës.

***

Se, natyrisht, lufta është përjashtim, një gjendje ekstreme, por me të nisur njëherë, menjëherë shndërrohet në një gjendje të rëndomtë të përditshme. Ku, shumë shpesh, të shkon koka si qenit, në mesin e një bote që ka sy por s’të sheh, që ka dhembshuri por s’të ndien, që të ndien por s’bën, s’mund të bëjë asgjë për ty.