Vendimi i gjykatës ruse “tradhton” Putinin, zbulohet prania e trupave në Ukrainë - Gazeta Express
string(77) "vendimi-i-gjykates-ruse-tradhton-putinin-zbulohet-prania-e-trupave-ne-ukraine"

Vendimi i gjykatës ruse “tradhton” Putinin, zbulohet prania e trupave në Ukrainë

Lajme

Gazeta Express

17/12/2021 8:49

Një rast gjyqësor për ryshfet në jug të Rusisë tregon se vendi kishte trupa në lindje të Ukrainës, duke e kundërshtuar pozicionin e gjatë të Kremlinit se kurrë nuk ka qenë palë në konfliktin e atij rajoni.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Lexo Edhe:

Vendimi i një gjykate në rastin kundër V.H. Zaboluyev, zëvendësmenaxher i një furnizuesi me ushqim në Rostov-on-Don, rajon në kufi me Ukrainën lindore, thotë se ai i ka mbikëqyrur prokurimin dhe shpërndarjen e ushqimit te “personeli ushtarak rus i ndodhur në Republikën Popullore të Donetskut (DPR) dhe Republikën Popullore të Luhanskut (LPR)”.

Termat DPR e LPR u referohen dy rajoneve në lindje të Ukrainës, të kontrolluara nga separatistët e përkrahur nga Rusia që nga shpërthimi i luftës në vitin 2014, pas rrëzimit të presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych.

Sipas vendimit të gjykatës, shpërndarja e ushqimit ishte bërë më 2018 e 2019. Vendimi është publikuar në uebfaqen e gjykatës muajin e kaluar, por mediet e zbuluan atë vetëm së fundi, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.

Vendimi thotë se një konvoj prej më shumë se 70 kamionëve me 1.300 tonë ushqim, përfshirë miell, ushqime të konservuara dhe perime të freskëta, ishte nisur në udhëtimin e rregullt nga Rostov-on-Doni drejt lindjes së Ukrainës për ta furnizuar personelin ushtarak rus.

“Ky ushqim synohej të dërgohej te njësitë ushtarake të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse të stacionuara në territorin e DPR-së dhe LPR-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas ekspertëve të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, kjo sasi e ushqimit është e mjaftueshme për rreth 26.000 trupa. Nuk është e qartë nëse ndonjë pjesë e këtyre furnizimeve u është dërguar forcave separatiste.

I pyetur rreth hollësive të këtij vendimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përsëriti pozicionin e qeverisë se nuk ka trupa ruse në lindje të Ukrainës dhe tha se është bërë ndonjë gabim. Gjykata më vonë e fshiu kopjen e vendimit nga uebfaqja e saj.