Zlatan Ibrahimovic e ka sfiduar moshën përsëri për ta frymëzuar Milanin me 10 futbollistë ta mposhtë Romën 2:1 të dielën, dhe ta ruajë ecurinë pa humbje në sezonin 2021/22 në Serie A.
Ibrahimovic, 40 vjeç, e shënoi një gol të mrekullueshëm në pjesën e parë dhe e fitoi një penallti në pjesën e dytë, të cilën e shënoi Franck Kessie, në Stadiumin Olimpik për fitoren e 10 nga 11 ndeshje të Milanit në ligë, raporton Gazeta Express.
Stefan El Shaarawy i dha një fije shprese Romës me një gol në kohën shtesë, i cili s’i mjaftoi për ta shmangur humbjen, megjithatë
Milani tani mbledh 31 pikë, aq sa ka edhe lideri Napoli, dhe do ta presë Interin në derbin e qytetit të dielën e ardhshme me një epërsi prej shtatë pikëve në tabelën e Serie A.
Roma e Jose Mourinhos, e cila e pësoi humbjen e katërt sezonale në ligë, ngel në vendin e katërt me 19 pikë.
Kjo ishte përballja e parë e Mourinhos dhe Stefano Piolit.
Kuqezinjtë e mbizotëruan Romën plotësisht në pjesën e parë, duke mos e lejuar ta bëjë qoftë edhe një goditje në kornizën e portës së Tatarusanos.
Ibrahimovic e kaloi Milanin në epërsi në minutën e 26-të, duke e mposhtur portierin Rui Patricio me një gjuajtje të fuqishme nga rreth 25 metra largësi nga goditja e dënimit.
Sulmuesit suedez iu anulua një gol në minutën e 50-të për pozitë jashtë loje, para se ta fitonte një penallti vetëm pesë minuta më vonë.
Kessie e mposhti Patricion nga pika e bardhë duke e detyruar të hidhet në krahun e kundërt të gjuajtjes.
Gjërat për skuadrën e Piolit shkuan shumë mirë deri në çastin kur Theo Hernandez u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë në minutën e 66-të.
Të qenit me një lojtar më tepër në fushë i dha më shumë hapësirë dhe guxim klubit nga kryeqyteti italian për të sulmuar por djelmoshat e Mourinhos e lanë shumë vonë shënimin e golit që i riktheu në lojë.
El Shaarawy, i futur në lojë në vend të Tammy Abrahram, shënoi me një goditje të fuqishme brenda zonës në minutën e 93-të.
Roma i kishte edhe tre minuta kohë shtesë për ta shmangur humbjen, por Tatarusano e shpëtoi Milanin me një pritje në çastet e fundit kur e ndali goditjen e Carles Perezit./Gazeta Express/