Para një numri të madh adhuruesish të kinemasë dhe aventurës malore është hapur sonte festivali i Filmave Malorë BANFF. BANFF Kosovo, festival i filmit për sportet malore dhe aventurën në natyrë, erdhi ne Cineplexx në Prishtinë nga BANFF Centre Mountain Film Festival në Kanada për të shfaqur një përzgjedhje filmash më qëllim të promovimit të sporteve malore, aventurën në natyrë dhe avanturistët më të mëdhenjë të natyrës në botë.
05 tetor, Cineplexx – Prishtinë
“Vijmë në Prishtinë të mbështetur nga një komunitet fantastik i aventurës në natyrë, edhe jemi tejet te lumtur që cdo ditë e më shumë klubet e sporteve dhe aventures po rriten dhe diversifikohen. Kjo natë i dedikohet të gjithë juve, që përmes aventurave edhe ekspeditave të juaja, na i sjellni malet cdo dite.” – është shprehur Besnik Shala – drejtor dhe themelues i festivalit.
Në fjalën e hapjes, të pranishmëve ju drejtua edhe Blinera Shala e cila tha: “Ne e konsiderojmë veten feministë edhe ambientalistë, kështu që në programin tonë jemi kujdesë me u përfshi edhe filma që tregojnë për atlete edhe sportiste të jashtëzakonshme, të tilla ka plot në Kosovë, disa prej tyre i kemi edhe këtu në sallë. Në BANFF edhe sivjet do të shohim edhe filma që na bëjnë të vetëdijësojnë për përgjegjësinë që e kemi më u kujdesë për mjedisin ku jetojmë edhe planetit tonë.”
RED Programme që u shfaq sonte me 5 Tetor, hapi festivalin me një përmbajtje filmash ku trajtohet kujdesi ndaj natyrës, çiklizmi malor, vrapimi, sporti i akrobacionit në mëndafsh, skijimi dhe aventura në terrenet më sfiduese në botë.
Të 16 filmat që shfaqen në Prishtinë me 5 dhe 6 tetor janë produksione të vendeve të ndryshme të botës, duke përfshirë Kanadanë, Amerikën, vende te ndryshme Belgjikën, Francën, Austrinë dhe vende tjera nga mbarë bota.
BANFF Mountain Film Festival organizohet në BANFF (Alberta) të Kanadasë cdo vit që nga viti 1976. Kur festivali në Kanada të përfundojë, një përzgjedhje e filmave më të mirë përgaditet për tu shfaqur në 40 vende të ndryshme, para më shumë se 600 mijë shikuesve në 1200 shfaqje unike filmash në botë. Prishtina është për herë të parë nikoqire e këtij festivali në rajon.
Kjo është një ngjarje e kulturës, artit, sportit dhe aventurës, që organizohet nga Banff Mountain Film Festival Kosovo dhe mundësohet Ambasada Kanadeze në Kroaci, Komuna e Prishtinës, FINCA, si dhe Red Bull.