Toyota Yaris zgjidhet “Vetura e Vitit 2021” - Gazeta Express
string(41) "toyota-yaris-zgjidhet-vetura-e-vitit-2021"

Toyota Yaris zgjidhet “Vetura e Vitit 2021”

AutoTech

Gazeta Express

02/03/2021 14:47

Vetura japoneze, Toyota Yaris, është zgjedhur “Vetura e Vitit 2021”. Ajo u zgjodh si më e mira gjatë një ceremonie të zhvilluar në qendrën e panaireve “Palexpo” në Gjenevë të Zvicrës.

Zgjedhja e veturës më të mirë të vitit u bë në kohën kur do të duhej të zhvillohej panairi i njohur i veturave, “Geneva International Motor Show”, i cili u anulua për të dytin vit radhazi për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Lexo Edhe:

Toyota Yaris është veturë e vogël që ofrohet vetëm në versionin hibrid me benzinë dhe rrymë. Ajo u vlerësua me 266 pikë, duke mposhtur gjashtë konkurrentë të tjerë në listën e ngushtë, shkruan Autocar, transmeton Gazeta Express.

Në vendin e dytë doli Fiat 500 Electric me 240 pikë, në të tretin Cupra Formentor me 239 pikë, në të katërtin Volkswagen ID 3 me 224 pikë, në të pestin Skoda Octavia me 199 pikë, në të gjashtin Land Rover Defender me 164 pikë dhe në vendin e shtatë ishte Citroen C4 me 143 pikë.

Kjo është hera e dytë që modeli Yaris shpallet vetura më e mirë e vitit, sepse gjenerata e parë e saj gjithashtu e kishte fituar këtë titull në vitin 2000.

Matt Harrison, nënpresident ekzekutiv i Toyota-s për Evropë, tha: “Ky është nder i madh për Toyota-n dhe do të doja ta falënderoj jurinë për vlerësimin dhe njohjen. Unë gjithashtu do të doja ta shfrytëzoj këtë mundësi për ta vlerësuar pasionin e ekipeve tona të zhvillimit në Evropë dhe Japoni. Ky është Yaris-i më i mirë ndonjëherë, dhe njësoj siç synonte Akio Toyoda, tashmë vetura po e vendos buzëqeshjen në fytyrat e konsumatorëve tanë.”

“Car of the Year” është organizatë e pavarur ndërkombëtare, e përkrahur nga nëntë revista evropiane nga nëntë shtete të këtij kontinenti. Vetura më e mirë e vitit zgjidhet nga juria e përbërë prej 59 gazetarëve. Ky çmim ndahet nga viti 1964.