Tim Cook pranon gabimin më të madh: Apple Maps u lansua papërfunduar - Gazeta Express
string(67) "tim-cook-pranon-gabimin-me-te-madh-apple-maps-u-lansua-paperfunduar"

AutoTech

Gazeta Express

23/04/2026 22:36

Tim Cook pranon gabimin më të madh: Apple Maps u lansua papërfunduar

AutoTech

Gazeta Express

23/04/2026 22:36

Drejtori ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ka pranuar publikisht se një nga gabimet më të mëdha gjatë drejtimit të tij ishte lançimi i parakohshëm i Apple Maps në vitin 2012.

Gjatë një takimi të brendshëm, ai theksoi se produkti “nuk ishte gati” kur u prezantua për publikun, pavarësisht testimeve të kryera. Në atë kohë, aplikacioni u përball me kritika të shumta për gabime në drejtim, vendndodhje të pasakta dhe etiketime të gabuara.

Problemet çuan edhe në largimin e drejtuesit të softuerit, Scott Forstall, një figurë kyçe në kompaninë e themeluar nga Steve Jobs.

Cook theksoi se, megjithëse ishte një dështim, situata u shndërrua në një mësim të rëndësishëm për kompaninë. Ai kujtoi se Apple madje u kërkoi përdoruesve të përdornin aplikacione konkurruese derisa produkti të përmirësohej.

“Duhej të vendosnim përdoruesin në qendër dhe të pranonim gabimin,” u shpreh ai, duke shtuar se sot Apple Maps konsiderohet ndër aplikacionet më të mira të hartave.

Nga ana tjetër, Cook përmendi si një nga arritjet më të mëdha të tij zhvillimin e Apple Watch, veçanërisht për ndikimin në shëndetin e përdoruesve, pasi shumë persona kanë raportuar se pajisja u ka shpëtuar jetën.

Pas 15 vitesh në krye të kompanisë, Cook ka njoftuar se do të largohet nga posti i CEO-s për të marrë rolin e kryetarit ekzekutiv. Në vend të tij do të emërohet John Ternus.

Ai pranoi gjithashtu edhe dështime të tjera, si projekti i dështuar për karikuesin AirPower dhe anulimi i shumëpërfolur i projektit për makinën e Apple, pas investimeve të mëdha për më shumë se një dekadë.

Ndërkohë, sfidat në fushën e inteligjencës artificiale dhe kritikat ndaj sistemit “Apple Intelligence” janë konsideruar nga ekspertët si faktorë që kanë ndikuar në vendimin e tij për t’u tërhequr.

Megjithatë, Cook thekson se çdo gabim ka qenë një mundësi për të mësuar dhe për të përmirësuar drejtimin e kompanisë. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement