Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka asnjë rast të koronavirusit, duke rënë në kundërshtim me të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë.
Rahmon e bëri këtë pretendim gjatë një adresimi në kuvend, ndonëse Ministria e Shëndetësisë më herët këtë muaj tha se disa raste të reja me koronavirus janë regjistruar nga Viti i Ri, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Taxhikistani sot është pa Covid-19”, tha presidenti i Taxhikistanin, duke shtuar se mungesa e koronavirusit brenda kufijve nuk nënkupton që qytetarët tash mund t’i neglizhojnë rregullat si përdorimi i maskave dhe mbajtja e distancës sociale.
Ai gjithashtu tha se personat që vijnë në Taxhikistan nga shtetet tjera duhet të vendosen në karantinë.
Shumë njerëz në këtë shtet e kanë vënë në pikëpyetje mbajtjen në fuqi të masave, sepse ato nuk janë duke u zbatuar në disa vende si në dyqane apo transport publik.
Zyrtarisht, në Taxhikistan deri tani janë regjistruar 90 të vdekur nga pandemia e koronavirusit. Sidoqoftë, sipas një raporti hulumtues të Radios Evropa e Lirë verën e kaluar, numri i vërtetë i viktimave është disa herë më i lartë.