Dikur ajo konsiderohej si një nga gratë më të bukura në botë. Është fjala për aktoren e njohur franceze, Nathalie Delon, e cila ka ndërruar jetë nga kanceri një ditë më parë.
Lajmin e trishtë e ka dhënë djali i saj, aktori Anthony Delon për AFP. “Nëna ime vdiq rreth orë 11:00, e rrethuar nga familjarët dhe miqtë. Ajo vdiq nga kanceri”, ka treguar Anthony.
Nathalie Delon ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare. Delon mori famë ndërkombëtare në vitin 1967 me rolin e saj në filmin “Le Samourai” ku luante përballë legjendës së ekraneve franceze, Alain Delon, i cili ishte bashkëshorti i saj në atë kohë.
Mediat e huaja shkruajnë se aktorja njihej edhe si gruaja që joshi Delon duke e ndarë nga e dashura e tij prej shumë vitesh, yllin e filmave Romy Schneider.
Ajo u takua me Delon në një klub nate në Paris kur ishte vetëm 21 vjeçe. Në atë kohë aktori ishte në një lidhje me Schneider.
Në atë kohë Delon e mbajti të fshehtë nga Schneider lidhjen me 79-vjeçaren, derisa u martua me Nathalie në fshehtësi në gusht të vitit 1964. Ata u nisën së bashku në Los Angeles, ku edhe ajo lindi një muaj më vonë djalin e tyre Anthony.
Nathalie Delon tha se ajo shpejt u lodh nga martesa me aktorin. “Isha shumë naive dhe ai tradhtar, por unë nuk isha e tillë. Kur e lashë atë, u largova nga gjithçka. Mora vetëm djalin dhe dadon, kjo ishte e gjitha”, rrëfeu aktorja.
Edhe pse martesa e tyre dështoi, ajo gjithmonë ruajti marrëdhënie miqësore me Delon. Madje djali i tyre postoi një foto të tyre duke festuar së bashku Krishtlindjen muajin e kaluar.
Delon, tani 85 vjeç, gjithashtu ka pasur probleme me shëndetin, pasi pësoi një goditje vitin e kaluar.