U përfolën si emra për pozitën e shefit të shtetit, Edita Tahiri e Avni Spahiu flasin për Express-in - Gazeta Express
string(96) "u-perfolen-si-emra-per-poziten-e-shefit-te-shtetit-edita-tahiri-e-avni-spahiu-flasin-per-express"

Lajme

Arbër Jashari

10/12/2020 12:16

U përfolën si emra për pozitën e shefit të shtetit, Edita Tahiri e Avni Spahiu flasin për Express-in

Lajme

Arbër Jashari

10/12/2020 12:16

Dorëheqja e parakohshme e Hashim Thaçit si pasojë e aktakuzës së Speciales ka bërë që debati për pozitën e shefit të shtetit të ndezet pak më herët. Aktualisht, secila prej partive politike pretendon se mund ta mbajë pozitën kryesore në shtet dhe një qasje e tillë sipas të gjitha gjasave do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve. Deri tani, vetëm Ramush Haradinaj e ka bërë publik synimin e tij për t’u bërë president, derisa si emra të mundshëm për pozitën e të parit të shtetit janë përfolur edhe Edita Tahiri, Avni Spahiu e Vlora Çitaku.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Mandati i Vjosa Osmanit ka hyrë në afatin kushtetues gjashtëmujor që nga 5 nëntori, kur zyrën e presidencës e liroi Hashim Thaçi për të shkuar në Hagë.

Gazeta Express i ka kontakuar disa nga emrat e përfolur për postin e presidentit për t’i pyetur nëse do të kandidojnë për këtë pozitë.

Ish-ambasadori Avni Spahiu i tha Gazetës Express se nuk ka menduar të kandidojë post, teksa ka thënë se nuk ka biseduar me subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend lidhur me këtë çështje.

“Siç thoni edhe ju, emri im është përmendur, si shumë emra të tjerë, ndërkohë që unë personalisht nuk kam treguar ndonjë preokupim lidhur me ndonjë kandidim të mundshëm. Nuk kam pasur asnjë kontakt apo bisedë me ndonjë subjekt politik lidhur me këtë mundësi. Andaj, as që kam menduar të kandidoj. Emri im është lakuar spontanisht në disa emisione televizive nga analistë dhe panelistë emisionesh”, është shprehur Spahiu.

Ndërkaq, ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, nuk ka dashur të komentojë për emrin e saj si kandidate e mundshme për presidente.

“Nuk jam e interesuar të flas në këtë temë”, tha Tahiri për Express.

Ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku, nuk ka qenë e qasshme për ta pyetur rreth kandidimit të mundshëm të saj për presidente.

Kryetari i LDK’së, Isa Mustaf,a ka thënë dje se nuk ka gatishmëri të partive politike për t’u ulur për të biseduar rreth zgjedhjes së presidentit.

Mustafa është shprehur se në këtë situatë bllokimi, vendi po rrëshqet drejt zgjedhjeve.

“Ka deklarata dhe këmbëngulje publike se votojnë vetëm kandidatin e tyre për president dhe jo të një subjekti tjetër. Kjo dëshmon se beteja po zhvillohet në media dhe në debate, por se akoma nuk ka gatishmëri për tryezë. Koha po ikën dhe po rrëshqasim në zgjedhje”, u shpreh Mustafa.

Pozicionet e partive politike për postin e presidentit janë bërë të qarta dhe duket se legjislatura e shtatë e ka të vështirë ta zgjedhë presidentin e ri.

AAK-ja e voton vetëm Ramush Haradinajn, teksa PDK-ja jep 24 votat e saj vetëm për kandidatin e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon zgjedhje të reja dhe refuzon të ulet për të biseduar për presidentin.

Avni Spahiu ka shërbyer si ambasadori i parë i Kosovës në Uashington, kurse më pas ka shërbyer në misionin diplomatik në Ankara të Turqisë.

Spahiu ka qenë njeri i afërt i presidentit Ibrahim Rugova dhe për shumë vite ka punuar si gazetar.

Tahiri ka qenë pjesë aktive e politikës fillimisht në Lidhjen Demokratike të Kosovës gjatë viteve të 90’ta, kurse pas luftës ajo e kishte formuar subjektin politik, Alternativa Demokratike e Kosovës.

Edita Tahiri i ka udhëhequr bisedimet me Serbinë në nivelin teknik në vitin 2011 në Bruksel, ku janë nënshkruar disa marrëveshje. Ajo e ka ushtruar funksionin e Zëvendëskryeministres dhe Ministres për Dialog.

Vlora Çitaku ka shërbyer si ambasadore në Washington nga viti 2015 deri më 2020.

Çitaku ka qenë anëtare e PDK’së dhe deputete e Kuvendit për dy mandate dhe ka shërbyer si Ministre e Integrimit Evropian./GazetaExpress/