Ish-gjyqtari i njohur spanjoll, Juan Andujar Oliver, këmbëngul se Ansu Fati dhe Pol Lozano u përjashtuan nga loja me kartonë të kuq në fitoren e Barcelonës 1:0 kundër Espanyol të mërkurën, me plot të drejtë, për shkak se ndërhyrjet e tyre ishin shumë të rrezikshme dhe të rënda.
Barcelona e ka mundur me vështirësi 1:0 Espanyolin në Camp Nou, duke e rrëzuar nga La Liga rivalin e qytetit dhe duke iu afruar Real Madridit në vetëm një pikë, të paktën përkohësisht, në një garë të nxehtë për titull, raporton Gazeta Express.
Luis Suarez e shënoi golin e triumfit të Barcelonës, në një ndeshje në të cilën të dy skuadrat luajtën me nga 10 futbollistë pothuajse gjithë pjesën e dytë.
Në një periudhë të shkurtër në fillim të pjesës së dytë, Fati dhe Lozano u përjashtuan për ndërhyrje shumë të ngjashme.
Ata i goditën kundërshtarët e tyre me thumbat e takeve dhe Andujar Oliver, i cili është ekspert i referimit në MARCA tani, thotë se të dy e merituan përjashtimin nga loja.
“Të dy kartonët e kuq u dhanë me të drejtë”, tha ai për Radio MARCA.
“Gjyqtarit iu desh t’i kontrollonte incidentet në monitorin e VAR-it dhe pastaj i mori vendimet e drejta”, shtoi ai.
“Fati përdori shumë forcë duke e goditur Fernando Caleron në këmbë, ndërsa ndërhyrja e Lozanos në Gerard Piquen ishte edhe më e rrezikshme”, nënvizoi ai. /Gazeta Express/