Drejtësisë të mos i frikësohet askush - Gazeta Express
string(37) "drejtesise-te-mos-i-frikesohet-askush"

Drejtësisë të mos i frikësohet askush

Gazeta Express

26/06/2020 14:12

Nëse Kuvendi i Kosovës ka miratuar themelimin e Gjykatës Speciale me qëllim që të vërtetohen pretendimet për krime të kryera nga njerëz të luftës, atëherë gjithsecili që procedohet e ka rastin që ta dëshmojë të kundërtën. Askush nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Kur Gjykata Speciale u themelua nga Kuvendi i Kosovës, të gjithë e kanë pasur të qartë se në fokus të procedimit nga ajo do të jenë ish-krerët e UÇK’së. Pavarësisht se në çfarë rrethanash e nën çfarë presioni u miratua themelimi i gjykatës nga deputetët, gjithkush e dinte se një ditë në bankën e të akuzuarve mund të jetë secili që ka marrë pjesë në luftë. Kështu edhe po ndodh.

Është e natyrshme se zhvillimet si ky i fundit ngjallin sentimente e reagime, aq më tepër kur bëhet fjalë emra si Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Vetë Thaçi disa herë ka deklaruar se askush nuk duhet të ketë frikë nga drejtësia dhe se gjykata ishte krijuar për të dëshmuar pastërtinë e luftës së UÇK’së.

Kosova njihet për bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare edhe nga krerë të lartë shtetërorë. Nuk ka asnjë arsye që kështu të mos ndodh edhe tash e tuitje. Nëse gjykata është krijuar për të vërtetuar pretendimet për krime të kryera nga njerëz të UÇK’së, atëherë gjithsecili që procedohet e ka rastin që ta dëshmojë të kundërtën.

Nuk mund të anashkalohet aspekti politik i momentit kur emrat e Thaçit e Veselit u bënë publik. Domosdo se kjo ka lidhje me takimin e paralajmëruar në Ëashington. Mënyra se si prokuroria bëri publike detaje nga një aktakuzë ende e pakonfirmuar dëshmon se gjithçka është bërë me plan dhe me një qëllim të caktuar. Spekulimet janë nga më të ndryshmet dhe mund të lidhen edhe me pretendimet se në marrëveshjen finale me Serbinë do të mund të zinte vend edhe ideja e korrigjimit të kufijve. Por, përtej kësaj, është koha që Thaçi e Veseli tash, si dhe kushdoqoftë nesër të tregojnë maturi e përgjegjësi individuale e shtetërore, në funksion të zbardhjes së çfarëdo supozimi që mund të ngrihet nga gjykata.   

* * *

Publikimi i emrave të Thaçit e Veselit, si pjesë e një aktakuze ende të pakonfirmuar në Gjykatën Speciale i ka dhënë goditje të rëndë edhe procesit negociator dhe pozicionit të Kosovës karshi dialogut me Serbinë.

Edhe para bërjes publike se Thaçi e Veseli janë pjesë e aktakuzës për krime lufte, pala kosovare kishte pranuar të vazhdojë dialogun e papërgatitur, më shumë nën trysninë e të dërguarit amerikan. Pa një platformë të qartë për bisedime, pa unitet të brendshëm dhe në defansivë për shkak të lëshimit pe karshi kërkesave të Serbisë, Kosova po pranonte t’i futej një finaleje dialogu me plot të panjohura e paqartësi. Por, Gjykata Speciale ndryshoi gjithçka, duke i përmbysur planet për arritjen shpejt të një marrëveshjeje ndërmjet dy vendeve.

Në këto rrethana, është e pamundur që dialogu të vazhdohet dhe nuk është fer që të kërkohet nga Kosova ta bëjë një gjë të tillë. Kosova ka nevojë për unitet e konsolidim të brendshëm, e jo të ndërmarrë hapa që do ta dobësonin edhe më shumë.

Ky moment i krijuar duhet të shërbejë si pikë kthese për reflektim të të gjithë shoqërisë, sidomos të klasës politike, se si dhe pse mbërritëm në këtë pikë. Duhet të shërbejë si leksion për të gjithë ata që kanë pasur e kanë mundësi të marrin vendime se çfarë ndodh kur nuk i kryen vetë punët e shtëpisë, kur nuk krijon një shtet funksional, me sistem drejtësi të pavarur e të barabartë për të gjithë.

* * *

Reagimet dhe sentimentet politike, por jo vetëm, në raste të tilla, mund të jenë të kuptueshme, por e hedhin në plan të dytë drejtësinë për viktimat. Vendosja e drejtësisë për viktimat duhet të jetë synim dhe përgjegjësi e secilës shoqëri, e secilit individ. Vetëm atëherë mund të flitet për një shoqëri normale dhe një shtet demokratik.