U miratua qe një vit, Deklarata për të Zhdukurit ende nuk ka filluar të zbatohet- çka thonë nga BE - Gazeta Express
string(96) "u-miratua-qe-nje-vit-deklarata-per-te-zhdukurit-ende-nuk-ka-filluar-te-zbatohet-cka-thone-nga-be"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 14:26

U miratua qe një vit, Deklarata për të Zhdukurit ende nuk ka filluar të zbatohet- çka thonë nga BE

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 14:26

Edhe një javë bëhen 1 vit nga nënshkrimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur nga Kurti dhe Vuçiqi në Bruksel, por akoma nuk ka nisur zbatimi i saj. Se kjo deklaratë ka mbetur vetëm në letër e konfirmojnë edhe nga Bashkimi Evropian. Stano thotë se zbatimi do të nisë kur palët të dakordohen për termat e referencës së Komisionit të Përbashkët.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Më 2 maj të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë nënshkruan Deklaratën për Personat e Zhdukur. Përmes kësaj deklarate, Kurti dhe Vuçiq, ndër të tjerash u zotuan për: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo Deklarata për Personat e Zhdukur ende nuk ka nisur të zbatohet.

Këtë e konfirmoi edhe zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, në një përgjigje për Gazetën Express.

“Kjo do të ndodhë pasi palët të bien dakord për termat e referencës së Komisionit të Përbashkët, i cili parashikohet ta monitorojë zbatimin e Deklaratës së përbashkët, në mbështetje të punës së Grupit Punues të kryesuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”, tha ai.

Stano shtoi se çështja e të zhdukurve u përfshi në dialog “për të ndihmuar në përmirësimin e bashkëpunimit të Kosvës dhe Serbisë në mbylljen e rasteve të pazgjidhura nga konflikti”.

Ai tha për Express se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shtoi se është dokument i rëndësishëm në atë që deklaron angazhimin e palëve për të mos politizuar çështjen e të zhdukurve dhe për të avancuar bashkëpunimin e tyre.

“Deklarata e përbashkët që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti e miratuan në maj të vitit 2023, nën lehtësimin e BE-së, nuk është ligjërisht detyruese. Megjithatë, është një dokument i rëndësishëm në atë që deklaron angazhimin e palëve për të mos politizuar çështjen e personave të zhdukur dhe për të avancuar bashkëpunimin e tyre duke përfshirë shkëmbimin e informacionit, identifikimin e përbashkët të vendeve të varrimit dhe ndjekjen efektive të gërmimeve.

Në fund, Stano tha se Bashkimi Evropian u bën thirrje palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.

“BE-ja u kërkon të dyja palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje mbi këto Terma të Referencës dhe për të rritur përpjekjet e tyre të përbashkëta nën Grupin e Punës të kryesuar nga KNKK”, tha zëdhënësi i BE’së për Express.

Kryetari i Komisionit për të Pagjeturit, Andin Hoti, tha se e ka dërguar përsëri kërkesë të Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak por deri tani nuk ka marrë përgjigje.

“Në janar të këtij viti, kam ripërsëritur letrën te Borrel dhe Lajçak si ndërmjetësues, por nuk kam pranuar asnjë përgjigje deri sot për Deklaratën për të Zhdukurit”, tha Hoti në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.

Pas miratimit të Deklaratës, parashihej që të themelohej një komitet i përbashkët që do të kryesohet prej BE-së dhe do të mbështesë dhe monitorojë punën e grupit punues. Mirëpo ky komitet ende nuk është themeluar.

Gjatë luftës në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa u zhvendosën mbi 800.000 persona. Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe mbi 1.600. /GazetaExpress/