"Progres i shpejtë dhe i pakthyeshëm për Asociacionin" - a e kushtëzoi Macron mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE? - Gazeta Express
string(126) "progres-i-shpejte-dhe-i-pakthyeshem-per-asociacionin-a-e-kushtezoi-mbreme-macron-mbeshtetjen-per-anetaresimin-e-kosoves-ne-kie"

“Progres i shpejtë dhe i pakthyeshëm për Asociacionin” – a e kushtëzoi Macron mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE?

Lajme

Gazeta Express

24/04/2024 11:37

Pallati Elysee lëshoi mbrëmë një deklaratë për bisedën telefonike mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Francës Emmanuel Macron ku tregoi për temat e diskutuara mes dy liderëve. Në fillim, Elysee e potencon se Franca ka mbështetje të palëkundur për pavarësinë e Kosovës dhe synimet e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian. Më pas, Macron zhvendos theksin te progresi që duhet ta bëjë Kosova për themelimin e Asociacionit të komunave më shumicë serbe dhe këtë e lidh edhe me synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës.  

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës i dha një shumicë votash pro një raporti që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në raport, themelimi i Asociacionit ishte ndër kushtet që Kosova duhet të plotësojë edhe pas anëtarësimit të saj. Por, para se të ndodhë vendimi përfundimtar nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të KiE duket që kryeministrit Kurti iu bë kusht Asociacioni nga presidenti i Francës Macron.

Pasi e përgëzoi për vendimin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit, Macron i kërkoi Kurtit progres të shpejtë për çështjen e Asociacionit.

“Presidenti i Republikës [së Francës] përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratë.

Macron, gjithashtu, bëri thirrje që marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, që doli nga plani i hartuar prej Francës dhe Gjermanisë, të gjejë zbatim të plotë.

“Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit europian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër”.

Në fund, Macron tha se shpreh keqardhje për dështimin e votimit për revokimin e disa kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. Pavarësisht kësaj, Macron i kërkoi Kosovës sërish organizimin e zgjedhjeve pa e specifikuar ndonjë mënyrë.

“Ai [Macron] kujtoi se mbeti i domosdoshëm organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja, me pjesëmarrjen e popullatës serbe”, përfundon deklarata e Elysee.

Në anën tjetër, në njoftimin e tij për bisedën me Macron, Kurti jep informacion të paktë mbi atë që diskutuan.

Ai përmendi optimizmin e tij që Franca do ta mbështesë Kosovën për anëtarësim në KiE pa kushte të mëtejshme. Gjithashtu, Kurti tha se ka insistuar që marrëveshja bazike me Serbinë të zbatohet në tërësi.

“Në një bisedë me presidentin Macron, e falënderova atë për mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe i shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë kërkesën e Kosovës për në Këshill të Europës pa parakushte të mëtejshme në linjë me opinionin dhe votën historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gjithashtu, insistova në respektim dhe zbatim të plotë të marrëveshjes bazike”, ka shkruar mbrëmë Kurti në X.