Gjermania e kërkon Asociacionin, zbatimi i vendimit për Manastirin s’mjafton për finalen në Këshill të Evropës - Gazeta Express
string(108) "gjermania-e-kerkon-asociacionin-zbatimi-i-vendimit-per-manastirin-smjafton-per-finalen-ne-keshill-te-evropes"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 10:56

Gjermania e kërkon Asociacionin, zbatimi i vendimit për Manastirin s’mjafton për finalen në Këshill të Evropës

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 10:56

Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nuk është kundërpeshë e mjaftueshme që Kosova të marrë përkrahjen e aleatëve sa i përket anëtarësimit final në Këshill të Evropës. Tandemi Berlin-Paris po kërkojnë që Kosova të bëjë përparim të prekshëm sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Besnik Velija

Lexo Edhe:

Njëjtë sikur Franca, edhe Berlini zyrtar pret që Kosova të bëjë hapa të prekshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe para se të ndodh votimi përfundimtar sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Kështu kanë thënë për Gazetën Express në një përgjigje nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane, Christian Boettcher, ka thënë se për një vendim kaq të rëndësishëm si anëtarësimi në Këshill të Evropës nuk është i mjaftueshëm vetëm zbatimi i vendimit për Manastirin e Deçanit dhe se për një vendim të tillë duhet të shihet pamja e përgjithshme që e paraqet Kosova.

“Kur bëhet fjalë për votimin përfundimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Komitetin e Ministrave, do të merret parasysh pamja e përgjithshme që po paraqet Kosova. Një vendim kaq i rëndësishëm, që kërkon një shumicë prej 2/3, nuk mund të lidhet me një temë të vetme si zbatimi i vendimit të Manastirit të Deçanit. Siç është thënë disa herë, Gjermania pret që Kosova të ndërmarrë hapa të prekshëm drejt krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, krijimit të së cilës Kosova është zotuar vite më parë. Këtë e ka bërë të ditur edhe presidenti francez në bisedën telefonike të fundit me kryeministrin Kurti”, ka thënë Boettcher për Express.

Zëdhënësi i Ambasadës Gjermane ka thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin ka qenë një vendim i rëndësishëm që ka kontribuar në votimin e suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Zbatimi përfundimtar i vendimit të gjykatës për Manastirin e Deçanit ka qenë një hap i rëndësishëm që padyshim ka kontribuar në suksesin e Kosovës në votimin e aplikimit për anëtarësim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i këtij vendimi sapo ka qenë zbatim i ligjeve të vetë Kosovës dhe është për të ardhur keq që u desh kaq shumë kohë për të zbatuar një vendim që u mor nga Gjykata Kushtetuese, institucioni më i lartë gjyqësor i vendit”, ka thënë ai.

Progres në temën e Asociacionit ka kërkuar edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i cili të hënën ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.Macron në këtë telefonatë ka theksuar rëndësinë që Franca i kushton progresit të shpejt në zbatimin e Asociacionit në kontekst të anëtarësimit në Këshill të Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.  Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, thuhet në njoftimin e presidencës franceze.

Edhe Ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James O’Brien, në takimin që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë që SHBA përkrah rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike, por ka thënë se për të ecur përpara duhet zbatim të zotimeve të dialogu, përfshirë përparimin urgjent në çështjen e Asociacionit.

“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Kurti sot”, ka njoftuar O’Brien të mërkurën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas bisedës që ka pasur në telefon me presidentin e Fracnës, ka shprehur pritjet e tij që përkrahja e Francës sa i përket anëtarësimit në Këshill të Evropës të mos ketë parakushte tjera./GazetaExpress/