Transferimi i parë i verës për Manchester Unitedin është konfirmuar gjatë fitores së ekipit ndaj Nottingham Forestit të dielën.
United mposhti Forestin 3-2 në një ndeshje argëtuese në “Old Trafford”, ku Casemiro zbriti në fushë për herë të fundit dhe Bruno Fernandesi barazoi rekordin e asistimeve në një sezon të vetëm në Premierligë.
“Djajtë e Kuq” siguruan vendin e tretë nën drejtimin e Michael Carrickut, i cili pritet të emërohet trajner i përhershëm i United me një kontratë dyvjeçare.
Largimi i Casemiros ishte njoftuar prej kohësh, por një tjetër dalje u konfirmua të dielën.
Sipas Fabrizio Romanos, transferimi përfundimtar i sulmuesit Rasmus Hojlund te Napoli është aktivizuar pas një sezoni mbresëlënës të tij në Itali.
Edhe pse Napoli nuk arriti ta mbrojë titullin e Serie A, klubi siguroi edhe një herë kualifikimin automatik në Ligën e Kampionëve, dhe ky sukses do të thotë se Hojlundi do të qëndrojë në “Stadio Diego Armando Maradona”.
Kur Napoli pagoi 6 milionë euro për huazimin e Hojlund për një sezon, në kontratë ishte përcaktuar që ai do të transferohej përfundimisht nëse Napoli do të siguronte një vend mes elitës europiane.
Një fitore 3-0 ndaj Pisës konfirmoi statusin e Napolit në Champions, me skuadrën napolitane që ndodhet pesë pikë para Comos së Cesc Fabregas me një ndeshje të mbetur në Serie A.
Hojlund asistoi ish-lojtarin tjetër të Unitedit, Scott McTominayn, për golin e parë dhe më pas shënoi golin e fundit në fitoren e rehatshme 3-0.
Danezi ka realizuar 15 gola në 43 paraqitje për Napolin, duke qenë rregullisht titullar në sulm pas problemeve me dëmtimet që pati Romelu Lukaku.
Përveç tarifës së huazimit, Unitedi pritet të përfitojë edhe 44 milionë euro shtesë (38 milionë funte) për Hojlundin, i cili ishte transferuar për një shumë fillestare prej 64 milionë funtesh në vitin 2023.
Edhe pse bëhet fjalë për një humbje të konsiderueshme financiare, kjo shumë mbetet pagesa e pestë më e madhe që Unitedi ka marrë ndonjëherë për një lojtar.
Hojlundi shënoi 26 gola në 95 ndeshje për 13-herë kampionët e Premierligës, por duket se e ka rigjetur formën e tij në Itali, duke i thënë transmetuesit danez “TV2” se tashmë “ka një ekip që beson shumë tek ai”, si dhe “një drejtor sportiv, një president dhe një trajner që e duan”.
Joshua Zirkzee, një tjetër lojtar i ardhur nga Serie A, ka hasur vështirësi për t’u përshtatur tek Unitedi, por treshja e re sulmuese e përbërë nga Benjamin Sesko, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo ka shkëlqyer, me secilin prej tyre që ka arritur 10 gola në Premierligë në rrugën drejt përfundimit të sezonit në vendin e tretë./GazetaExpress/