Një zyrtar i lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për pasoja të rënda globale nëse nuk rifillon së shpejti kalimi i plehrave kimike përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë.
Në një deklaratë për agjencinë AFP, drejtuesi i grupit të posaçëm të OKB-së për parandalimin e krizave humanitare, Zhorzh Moreira da Silva, tha se dhjetëra miliona njerëz mund të përballen me uri dhe mungesë ushqimi nëse bllokada vazhdon.
“Ne kemi vetëm disa javë kohë për të shmangur atë që mund të shndërrohet në një krizë të madhe humanitare”, deklaroi ai.
Sipas tij, rreth një e treta e plehrave kimike që tregtohen globalisht kalojnë zakonisht përmes kësaj rruge ujore strategjike në Gjirin Persik. Ndërprerja e furnizimeve mund të ndikojë drejtpërdrejt në prodhimin bujqësor dhe zinxhirin ushqimor në shumë vende të botës.
“Ne mund të bëhemi dëshmitarë të një krize që do të shtyjë edhe 45 milionë njerëz të tjerë drejt urisë”, theksoi Moreira da Silva.