Zyrtari i LDK’së, Bajram Gecaj, i ka fajësuar zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Gecaj është tallur me sulmuesit e Hotit, duke i quajtur komandantë të vezëve nga njësiti i pulave.
“Ata që dje, me votën pro në parlamentin e Kosovës, “mbrojtën” Çakorrin e Zhlepin nga Mali i Zi, pretendojnë që sot, me vezë, të “mbrojnë” Kosovën nga kthimi i Rusisë dhe Serbisë! Fatkeqësisht ende ka të tillë që e besojnë tregimin e ujkut (është ujku, është ujku)!”, ka shkruar Gecaj.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi i ka thënë Gazetës Express se kanë nisur hetimet dhe se rasti po cilësohet si “sulm”.
“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”, ka thënë Krasniqi për Express.
Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ngadalë ka filluar që të marrë përgjegjësinë për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit Avdullah Hotit.
“Kushdo që e ka bërë, ka bërë shumë mirë dhe kjo duhet kuptuar që nuk do e lejojmë Serbinë dhe Rusinë në Kosovë”, ka thënë Haradinaj, në një përgjigje për T7.
“Porositësit e veprimit të sotëm tentojnë ta mbajnë Kosovën të izoluar. Kosova më nuk është e izoluar. Të izoluar janë vetëm ata që po japin urdhra të tillë”, ka thënë Hoti.
“Prokuroria dhe Policia duhet të marrin masa dhe të veprojnë edhe ndaj atyre që po paralajmërojnë dhunë ndaj zyrtarëve të Qeverisë”, ka shkruar Bajrami.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk qëndron prapa sulmit ndaj Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti, i cili u sulmua me vezë sot në qendër të Prishtinës./ Gazeta Express