Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të shtunë, 20 shtator, ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari, duke vënë në qendër të fjalës së tij rolin që do të ketë Inteligjenca Artificiale në reformimin e administratës dhe sistemeve publike.
Një nga risitë kryesore që paralajmëroi Rama është përdorimi i ndërmjetësimit me Inteligjencë Artificiale për çështjet civile, me synimin për të shmangur zvarritjet në gjykata dhe kostot për qytetarët.
Kryeministri foli për krijimin e zyrtarëve të rinj të prodhuar nga Inteligjenca Artificiale, të cilët i quajti “fëmijët e Diellës”. Sipas tij, përdorimi i teknologjisë së avancuar do të sjellë më shumë barazi, transparencë dhe efikasitet në vendimmarrje, si dhe do të eliminojë ndikimin njerëzor në vlerësimin e dokumenteve dhe ofertave në tendera. Rama shtoi se kjo qasje do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë, përfshirë sigurinë ushqimore dhe kontrollin e produkteve.
“Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me Inteligjencë Artificiale të çështjeve civile, që njerëzit mos harxhojnë lekë e kohë nëpër procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procesin e ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti. Teknologjia dhe Inteligjenca Artificiale janë bekimi i vendeve në zhvillim. Sepse bëjmë kapërcime që nuk kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e procesit linear. Gjykimi mbi dokumentacioni, jo s’ma ke sjellë më vulë të freskët, jo s’ma ke sjellë në kohë.
Tek temat e referencës Diella e bënte pamundur trajtimin preferencial të dikujt përmes referencave. Ata që merren me këtë po punojnë. Të gjitha dokumentet që bëjnë kopanit dhe që mbledhin lart e poshtë për ndonjë tender janë fakte publike. Diella do i mbledhë vetë, nuk ka nevojë që njerëzit të bredhin lart e poshtë. Temat e referencës, dokumentacioni mblidhet në mënyrë të barabartë për të gjithë dhe në fund është oferta që flet vetë. Askush nuk i gjykon dot më mirë se sa Inteligjenca Artificiale.
Do të duhen disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz,që Diella do i lindë në maternitetin e Inteligjencës Artificiale. Kjo është reale dhe do të jetë reale, aq reale sa jemi ne të gjithë këtu. Për të përmirësuar në mënyrë potenciale, parametrat e sigurisë. Për sigurinë ushqimore dhe të gjithë mallrave, ne përsëri me inteligjencën artificiale do të ndryshojmë tërësisht mënyrën se si do të jetë kontrolli. Kemi ndërtuar kompanitë, tani po ndërtojmë sistemin, e njëjta gjë për naftën e kështu me radhë”, tha kryeministri Rama.