Genoa ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të kombëtares së Shqipërisë, Mario Mitaj, i cili i bashkohet klubit italian në formë huazimi nga Al-Ittihad, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit.
Sipas “Sky Sport Italia”, Genoa do t’i paguajë Al-Ittihadit 2 milionë euro për huazimin njëvjeçar, ndërsa në qershor të vitit 2027 do të ketë mundësinë ta blejë përfundimisht për 4.5 milionë euro të tjera. Vlera totale e operacionit arrin në rreth 6.5 milionë euro.
Për klubin italian bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm për mbrojtësin e majtë, i cili javën e ardhshme do të festojë ditëlindjen e tij të 23-të.
“Transferimi te një klub si Genoa dhe në Serie A ishte një objektiv për mua. Jam shumë i motivuar për të treguar se çfarë mund të bëj”, deklaroi Mitaj për faqen zyrtare të klubit.
Reprezentuesi shqiptar do të mbajë fanellën me numrin 2 gjatë këtij sezoni.
Për Mitajn kishte interes edhe nga Roma në Serie A, si dhe nga ish-klubi i tij AEK Athina, por në fund Genoa arriti të sigurojë firmën e tij.
Futbollisti ndodhej që gjatë ditës së sotme në qytetin e Genovas, ku kreu vizitat mjekësore dhe në mbrëmje firmosi kontratën me klubin.
Pavarësisht moshës së re, Mitaj numëron tashmë 32 paraqitje me kombëtaren e Shqipërisë dhe iu bashkua Al-Ittihadit nga Lokomotiv Moska në vitin 2024.
Drejtori i futbollit te Genoa, Diego Lopez, u shpreh i kënaqur me afrimin e mbrojtësit shqiptar.
“Mario është një lojtar që bashkon dy cilësi shumë të rëndësishme: aftësinë teknike për të ndërtuar lojën nga prapavija dhe forcën mendore të nevojshme për të luajtur me fanellën e Genoas”, deklaroi Lopez./GazetaExpress/