Plani i Këshillit Federal për të rritur shumën minimale të zbritshme (franshizën) të sigurimit të detyrueshëm shëndetësor ka marrë mbështetje të gjerë gjatë procesit të konsultimit, i cili përfundoi të martën, përcjell albinfo.ch.
Qëllimi i kësaj mase është të ndihmojë në uljen e kostove gjithnjë e në rritje të sistemit shëndetësor në Zvicër.
Sipas propozimit, franshiza minimale do të rritet nga 300 në 400 franga. Gjithashtu, qeveria propozon që kjo shumë të mund të përshtatet automatikisht edhe në të ardhmen.
Megjithatë, shumë prej pjesëmarrësve në konsultim kanë theksuar se një rritje e tillë do të ishte e pranueshme vetëm nëse mbetet një masë e përkohshme dhe nuk zbatohet automatikisht.
Partitë e qendrës së djathtë dhe kompanitë e sigurimeve e mbështesin propozimin, duke argumentuar se ai mund të ndihmojë në kontrollimin e shpenzimeve shëndetësore.
Nga ana tjetër, partitë e majta e kundërshtojnë nismën, pasi vlerësojnë se rritja e franshizës mund të dekurajojë personat e sëmurë të kërkojnë trajtim mjekësor nga frika e kostove shtesë, duke rrezikuar kështu shëndetin e tyre. /Albinfo.ch