FIFA ka prezantuar për herë të parë në historinë e Kupës së Botës pushime për hidratim në minutën e 22-të dhe të 67-të të çdo ndeshjeje.
Megjithatë, kjo risi ka shkaktuar ankesa të shumta nga tifozët, komentatorët dhe vetë lojtarët.
Ylli i Holandës dhe i Liverpoolit, Virgil van Dijk, e bëri të qartë qëndrimin e tij ndaj këtyre ndërprerjeve, të cilat praktikisht e ndajnë ndeshjen në katër pjesë.
Ndërkohë, tifozët e Anglisë në stadiume janë dëgjuar duke fishkëllyer gjatë pushimeve për hidratim, pasi shumë prej tyre besojnë se ato po përdoren nga transmetuesit televizivë për të shfaqur reklama.
Pushimet për hidratim nuk janë shpikur posaçërisht për Kupën e Botës 2026.
Ato janë përdorur edhe më parë për t’u dhënë lojtarëve mundësinë të rifreskohen dhe të marrin lëngje në kushte të nxehtësisë ekstreme.
Megjithatë, tifozët skeptikë kanë vënë në dukje se disa ndeshje të këtij turneu janë zhvilluar në kushte ideale atmosferike për futboll, por ndërprerjet kanë ndodhur gjithsesi.
Tani presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka publikuar një deklaratë për të adresuar polemikat rreth pretendimeve se këto pushime po përdoren për hapësira reklamash.
Ai tha: “Arsyeja kryesore është nxehtësia, por duhet të kuptojmë gjithashtu se në një kompeticion si Kupa e Botës, që zhvillohet për 39 ditë dhe ku ekipet mund të luajnë deri në tetë ndeshje gjatë kësaj periudhe, një moment pushimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm”.
“Ajo që ka edhe më shumë rëndësi për ne është të sigurohemi që të gjitha ekipet, në çdo ndeshje, të luajnë në të njëjtat kushte. Është e vështirë të pranohet që një trajner të ketë mundësinë të ndikojë në ndeshje duke bërë rregullime vetëm sepse temperatura është më e lartë, ndërsa në një ndeshje tjetër, ku temperatura është pak më e ulët, ai nuk e ka të njëjtën mundësi. Ne duam të garantojmë kushte të barabarta për të gjithë dhe për këtë arsye këto pushime zbatohen në çdo ndeshje”, shtoi ai.
“Nuk ka të ardhura shtesë për FIFA-n, pasi të gjitha marrëveshjet komerciale janë nënshkruar shumë kohë më parë. Pra, kjo nuk është një çështje financiare për ne. Për ne, është thjesht një çështje sportive”, u shpreh i pari i FIFA-s.
Pushimet për hidratim do të vazhdojnë deri në fund të kësaj Kupe të Botës.
Megjithatë, duket se shumë tifozë shpresojnë që pas finales së 19 korrikut, këto ndërprerje të mos përdoren më në të ardhmen, përveç rasteve kur kushtet e lojës dhe mirëqenia e futbollistëve e bëjnë të domosdoshme një gjë të tillë./GazetaExpress/