Udhëheqës të Partisë Socialdemokrate të martën nisën misionin që t’i sigurojnë të paktën 1000 nënshkrime, për t’i dorëzuar në KQZ për certifikim.
Deri në mesditë, këta thonë se veç kanë siguruar një pjesë të mirë të nënshkrimeve, përmes se cilave, do të mund të kthehen në garë pas tri palë zgjedhjesh pauzë.
“Jemi duke i mbledhë nënshkrimet që të certifikohemi në KQZ. Jemi gati që ta bëjmë opozitën”, ka thënë kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj.
PSD, tanimë e ka të qartë formën se si do t’i hyjë garës.
“Do hyjmë të vetëm. Nuk i kemi qëllimet e njëjta me asnjë parti tjetër, andaj si asnjëherë më parë, do të garojmë për opozitë”, ka shtuar Molliqaj.
Derisa PSD ka ndarë mendjen për garën, një tjetër parti socialdemokrate, ende nuk ka marrë vendimin për zgjedhjet e 7 qershorit.
Anëtarët e Kryesisë së Nismës, së shpejti pritet që të takohen për të diskutuar rreth këtij procesi, i cili është komplikuar pas refuzimit publik të PDK-së, që t’ua hapë derën, qoftë për koalicion qoftë për bashkim në listën e saj.
Sipas një njohësi të çështjeve politike, afati fare lehtë mund të mbyllet pa u arritur asnjë koalicion, përveç një marrëveshje eventuale të LDK-së me Vjosa Osmanin.
“Bazuar në qëndrimet e partive, ka fare pak gjasa që të arrihet në koalicion. Andaj, partitë do ti hyjnë garës pak a shumë si në zgjedhjet e fundit”, ka thënë Basri Muja.
Ndërkohë që partitë diskutojnë, afat për regjistrim të koalicioneve kanë deri më 7 maj, ndërsa për regjistrim të listave zgjedhore deri më 12 maj.