Zhdukja e Vis Martinajt, Rama bën hapa pas, drejtori i policisë shmang pyetjen - Gazeta Express
string(76) "zhdukja-e-vis-martinajt-rama-ben-hapa-pas-drejtori-i-policise-shmang-pyetjen"

Zhdukja e Vis Martinajt, Rama bën hapa pas, drejtori i policisë shmang pyetjen

Shqiperi

Gazeta Express

28/09/2022 16:12

Ndryshe nga disa ditë më parë kur tha se Policia e Shtetit e ka një përgjigje për fatin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt dhe se do të përgjigjej para publikut shumë shpejt, sot kryeministri Edi Rama duket se ka bërë një hap pas. I pyetur sërish lidhur me këtë çështje dhe nëse ka zhvillime të reja, Rama tha se policia nuk ka asnjë provë.

Di të them që në momentin e parë që policia do të ketë provat e nevojshme do të ketë edhe komunikimin. Për sa kohë nuk ka komunikimin do të thotë që nuk ka ende provat e nevojshme”, tha Rama.

Lexo Edhe:

Edhe drejtori i ri i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku u pyet sot për Martinajn në Lezhë ku mori pjesë në ceremoninë përkujtimore në kuadër të një vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Atdheut, Nënkomisar Saimir Hoxha.

Kur njëri prej gazetarëve përmendi emrin e Martinajt dhe vijoi me pyetjen, Rrumbullaku u largua duke mos pranuar që të flasë.

Më herët Kryeministri Rama ka deklaruar se shumë shpejt policia do japë përgjigje për fatin e Martinajt kurse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksonte se kreu i qeverisë e di se çfarë ka ndodhur me “mbretin” e lojërave të fatit”.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka deklaruar disa ditë më parë se për zhdukjen e Martinajt policia do të flasë me fakte e prova. “Ka zhvillime, kemi thënë ne flasim kur kemi prova. Policia nuk mund të flasë pa patur prova. Vazhdon procesi”, tha Çuçi në një komunikim shkurt për gazetarët.

Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin. Deri tani policia s’ka folur me asnjë të dhënë konkrete për zhdukjen e të shumëkërkuarit.

/Gazeta Express