Në zgjedhjet e ardhshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, mund të vendosë për rinumërim të votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Express, zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.
Ky i fundit ka theksuar se, KQZ ka ndërmarr masa të tilla si mënyrë për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë.
“Për të adresuar problemet e evidentuara në Qendrat Komunale të Numërimit gjatë numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë masa konkrete përmes përmirësimit të kornizës rregullative. Në akte nënligjore është paraparë një mekanizëm shtesë kontrolli i procesit të numërimit të fletëvotimeve. Konkretisht, është paraparë që pas pranimit të materialeve zgjedhore nga vendvotimet e rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, KQZ vlerëson situatën dhe sipas nevojës mund të vendosë rinumërimin e votave deri në 10% të vendvotimeve të përzgjedhura në mënyrë të rastësishme”, tha Elezi për Express.