Analisti Visar Ymeri ka thënë se Albulena Haxhiu ka lënë “shenja” që ajo nuk bën të jetë në krye të institucioneve.
“Në sjelljen e vet politike, Albulena Haxhiu ka dhënë shenja që ajo nuk është e përshtatshme për me lanë në krye të institucionit. Kqyrne, për shembull, qysh ka vepruar në Ministrinë e Drejtësisë.”
“Unë mendoj që procesi i vetingut e ka marrë formën që e ka marrë edhe për shkak të sjelljes së Albulena Haxhiut, edhe për shkak të gjuhës së saj, e cila ka krijuar përshtypje te partnerët tanë ndërkombëtarë që vetingu është më shumë hakmarrje se sa drejtësi. E ka krijuar përshtypjen – ndoshta ky s’ka qenë qëllimi fare, ndoshta kjo s’ka qenë ideja fare – por e ka kriju këtë përshtypje, dhe Bashkimi Evropian ka qenë shumë skeptik për këtë qasje në procesin e vetingut dhe reformën e drejtësisë në përgjithësi”, ka thënë ai në Debat Plus.
Tutje, Ymeri ka thënë se kur po thotë opozita që nuk duam gjuhë konfliktuoze, nuk e kanë vetëm për vete, por e kanë edhe për shkak të dinjitetit dhe seriozitetit që e ka posti, që duhet me mbajtë, veçanërisht në situatën në të cilën jemi.
Ai ka thënë se këtë që po e kërkojnë ish-partitë opozitare e kanë me të drejtë.
“Qe, Albulena Haxhiu nuk bën”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se emri i Glauk Konjufcës është i pranueshëm, sepse ai nuk është sjellë si aktivist i partisë.
“Glauk Konjufca nuk është sjellë si aktivist i Vetëvendosjes, por është sjellë si kryetar i Kuvendit – kjo ka rëndësi”, duke shtuar se ai nuk e ka përshtypjen se Albulena Haxhiu do të sillej njëjtë si Konjufca.