Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vendosur sërish të ndërhyjë në politikën e Kosovës, duke deklaruar hapur se do ta mbështesë me “gjithë fuqinë” Srpska Lista në zgjedhjet e 7 qershorit që do të mbahen në Kosovë.
Deklarata e Vuçiçit vjen në një kohë kur janë shtuar raportimet për presione ndaj serbëve të Kosovës që refuzojnë ta mbështesin Listën Serbe, me pretendime për kërcënime, maltretime dhe largime nga puna nga strukturat që lidhen me pushtetin në Serbi.
Në një intervistë për RTS, Vuçiq u përpoq sërish të viktimizohet para opinionit publik, duke pretenduar se serbët në Kosovë jetojnë në kushte të vështira dhe janë nën presion të vazhdueshëm nga institucionet e Kosovës.
“Ne do ta mbështesim Listën Serbe me të gjitha forcat tona dhe do të luftojmë për pozicionet e popullit serb”, deklaroi Vuçiq, raporton Konline
Ai akuzoi autoritetet kosovare se po arrestojnë serbë që kanë qenë të përfshirë në institucionet paralele, duke përmendur drejtorë shkollash dhe qendrash shëndetësore.
Vuçiq hodhi akuza edhe ndaj politikanit serb nga Kosova, Nenad Rashiq, për të cilin tha se po bashkëpunon me institucionet e Kosovës kundër serbëve lokalë.
Presidenti serb përsëriti gjithashtu kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke e lidhur atë me, siç tha ai, “mbijetesën e popullit serb”.