Një shtetas italian, 44 vjeç dhe banues në Tiranë, është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Salari të Tepelenës, në zonën e njohur si “Dilan”. Dyshohet se viktima është vrarë me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë është zbuluar rreth orës 00:30 pranë një rruge rurale. Menjëherë pas sinjalizimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë ngritur një grup të posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë.
“Forcat hetimore po punojnë me intensitet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, për të dokumentuar ligjërisht krimin dhe për të identifikuar autorin apo autorët e dyshuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.
Në operacion janë përfshirë forcat e Drejtorive Vendore të Policisë së Fierit dhe Vlorës, të cilat po kryejnë kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa ambiente të dyshuara, me qëllim kapjen e autorit.