Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj dy të pandehurve, Sh.O. dhe A.O., nënë e bir, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “shtytje në vrasje të rëndë”.
Gjykata tha se ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
“I pandehuri Sh. O. dhe i mituri A:O.,, më datë 14.06.2026, në fshatin Kobaj, Komuna e Prizrenit, në bashkëkryerje dhe me dashje privojnë nga jeta viktimën A.O. dhe me atë rast vënë në rrezik jetën e të dëmtuarit I.O., të shtyrë nga e dyshuara A.O. – nëna të pandehurve, në atë mënyrë që pas një konflikti të mëhershëm të lindur nga mosmarrëveshjet, fillimisht përfshihen në një konflikt verbal e më pas fizik me viktimat A.O. dhe I.O., të cilët përdorin mjete të mprehta – thika, i sulmojnë dhe i godasin ata. Si pasojë e goditjeve të marra me thikë në pjesën e gjoksit, viktima A.O. ndërron jetë, ndërsa i dëmtuari I.O. pëson lëndime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën, për çka është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale, thotë gjykata.
“Duke marrë parasysh provat materiale, të cilat e arsyetojnë dyshimin e bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, gjykata vlerësoi se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse hetimet janë në fazën fillestare, dhe të pandehurit me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale mund të fshihen apo jepen në arrati, apo të ndikojnë në dëshmitarë dhe në prova,, duke pamundësuar zhvillimin e rregullt të procedurës penale, në këtë rast caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.”
Gjithashtu gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, po ashtu mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, me këmbëngulësi dhe vendosmëri të pandehurit Sh.O., dhe i mituri A.O,, të shtyrë nga e pandehura A:O., (nëna e tyre), duke përdorur mjetet të mprehta përfshihen në një konflikt fillimisht verbal dhe pastaj fizik, me viktimën A.O., dhe të dëmtuarin I.O., si pasojë e goditjeve me mjete të mprehta, viktima A.O., ndërron jetë në vendin e ngjarjes, kurse i dëmtuari I.O., merr lëndime trupore, këto tregojnë se me lënien në liri të të pandehurve ekziston rreziku i lartë që mund të përsëriten vepra penale të kësaj natyre.