Vrasja e dyfishtë në Kurbin/ Kush janë dy biznesmenët e ekzekutuar dhe lidhja me krimin në Dajt - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

01/06/2020 13:31

Vrasja e dyfishtë në Kurbin/ Kush janë dy biznesmenët e ekzekutuar dhe lidhja me krimin në Dajt

Shqiperi

Gazeta Express

01/06/2020 13:31

Atentati i ndodhur në orët e vona të së shtunës në Kurbin shënoi dy viktima. Bujar Lika, 37 vjeç, humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri nga dy të plagosurit ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, disa orë pasi u transportua aty.

Gjatë të mëngjesit të ditës së djeshme, Policia bëri të ditur se viktima tjetër nga kjo ngjarje është 53-vjeçari Paulin Gjergji. Ky i fundit, kanë thënë bluzat e bardha, nuk ka mundur t’u rezistojë plagëve që mori nga plumbat, duke ndërruar jetë pavarësisht tentativave të mjekëve. Ndërkohë që i plagosuri tjetër, Kreshnik Tusha, ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës.

Ky i fundit dyshohet se është një nga autorët që qëlloi për vdekje ndaj Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Lika dhe Gjergji, që humbën jetën nga atentati, kanë qenë bashkë ulur në lokal në momentin kur u sulmuan. Viktima Bujar Lika është gjetur nga Policia me armë në dorë, ndërsa burime bënë të ditur se ai ka qëlluar deri sa i janë mbaruar fishekët. Nga ana tjetër, Bujar Lika rezulton një emër i njohur për Policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt, ngjarje kjo e ndodhur në Dajt.

HOTELI KU NDODHI VRASJA E DYFISHTE
HOTELI KU NDODHI VRASJA E DYFISHTE

Për vrasjen e Nikajt, fillimisht nga Shkalla e Parë në 2016 u dënuan Emiljano Tasho me 16 vjet burg, Erjon Biraci me 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj burg, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj burg dhe Bujar Lika me 1 vit burg. Por pasi e dërguan vendimin e Shkallës së Parë në Apel, Ervis Martinaj, Mirsad Kuçana dhe Bujar Lika që u vra mbrëmjen e së shtunës morën pafajësi, ndërsa Tasho u dënua përfundimisht me 14 vite për vrasjen e Enton Nikajt dhe Erjon Biraci 2 vite.

Ndërkohë, viktima tjetër Paulin Gjergji nuk rezulton të jetë person me precedentë penale. 53-vjeçari njihet si pronari i kazinosë më të njohur në Tiranë në zonën e ish-Bllokut, por që tashmë është e mbyllur. Gjergji u bë pronar i kazinosë “Vegas”, duke i blerë aksionet nga ishdeputeti Mhill Lufi, i cili ishte dhe pronari i saj më herët.

Shenjat e plumbave në vendin e ngjarjes
Shenjat e plumbave në vendin e ngjarjes

MIQËSIA ME ERVIS MARTINAJN

Bujar Lika dhe Paulin Gjergji, sipas burimeve nga uniformat blu, mësohet se janë miq të Ervis Martinajt. Personi që kishte njohje më të afërt me Martinajn ishte Bujar Lika. Madje, pesë vite më parë, Lika dhe Martinaj u akuzuan për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt, por që rezultuan të pafajshëm nga Apeli i Tiranës. Ndërkohë, 37- vjeçari Bujar Lika njihet edhe si pronari i një lokali të njohur në ish-Bllok, Tiranë, por që biznesin e tij 37-vjeçari ia kishte kaluar kohët e fundit në administrim motrës së tij.

NË SPITAL

atrntati1

Pas atentatit të dyfishtë në ambientet e një hoteli në Kurbin, situata është nxehur në ambientet e Spitalit të Traumës. Sipas informacioneve të siguruara nga spitali, pasi ka mbërritur i plagosuri Paulin Gjergji që ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore, mes disa personave ka lindur një konflikt fizik. Mësohet se të afërmit dhe miqtë e Gjergjit ishin mjaft të tensionuar, si pasojë e plagosjes së tij.

Ata dyshohet se janë konfliktuar me stafin e spitalit, por që dyshohet edhe me të afërm të të plagosurit Kreshnik Tusha. Të afërmit e Paulin Gjergjit e kanë pasur të vështirë humbjen e tij, ndaj edhe situata ka agravuar deri në një përplasje fizike në ambientet e spitalit.

Kjo ka bërë që një numër i madh i uniformave blu të qëndrojnë në Spitalin e Traumës. 21-vjeçari i plagosur në këmbë vijon të marrë mjekim në spital, ndërsa në derën e dhomës së tij janë vendosur disa punonjës të forcave “Shqiponja”. Kjo, për të evituar ndonjë atentat të mundshëm ndaj të riut.

Si u vranë biznesmenët, Lika me pistoletë në dorë

Ngjarja ku mbetën të vdekur dy persona dhe një tjetër u plagos ndodhi në orën 22:17 minuta të së shtunës, në ambientet e jashtme të një hoteli në autostradën Milot-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.

polciia

Viktimat janë Bujar Lika, 37 vjeç dhe Paulin Gjergji, 53 vjeç, ky i fundit ndërroi jetë pak orë pas ngjarjes në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa i plagosur ka mbetur dhe Kreshnik Tusha 21 vjeç, i cili dyshohet se është njëri nga autorët e atentatit. Sipas burimeve, dy viktimat kanë qenë bashkë të ulur në lokal, në momentin kur janë qëlluar 5 herë me armë zjarri automatik.

Ndërsa kundërpërgjigjja ndaj autorëve nuk ka munguar, ku mbeti i plagosur edhe 21-vjeçari Tusha. Ai ka marrë 3 plumba në këmbë dhe ka shkuar vetë për ndihmë mjekësore në Urgjencën e Laçit dhe më pas, i shoqëruar dhe nga familjarët e tij, është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dyshimet janë se 21-vjeçari është njëri nga atentatorët, por kjo nuk është faktuar ende nga grupi hetimor.

Policia nisi menjëherë hetimet në lidhje me ngjarjen, e cila është fiksuar nga kamerat e sigurisë të hotelit. Një ndihmesë pritet të japë edhe dëshmia e 21-vjeçarit, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është marrë ende në pyetje nga hetuesit. Nga të tërësia e veprimeve hetimore dyshohet se Bujar Lika ka qenë shënjestra e atentatit.

37-vjeçari rezulton një emër i njohur për Policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt, por që Gjykata e Apelit e kishte shpallur të pafajshëm. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar në Polici mbi 20 persona, të cilët janë marrë në pyetje. Po ashtu, janë sekuestruar gëzhojat e gjetura në vendin ngjarjes dhe një armë zjarri pistoletë, e cila ka qenë e 37-vjeçarit Bujar Lika.

HETIMET

Hetimet e Policisë dhe Prokurorisë për të zbardhur ngjarjen janë përqendruar tek e shkuara e 37-vjeçarit Bujar Lika, i cili rezulton të ketë qenë dhe shënjestra e këtij atentati me armë zjarri. Një tjetër pistë kryesore është hetimi mbi përplasjen e grupeve të njohura në botën e krimit. Policia po vijon kontrollet në zonë për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë atentat me armë zjarri, ndërsa autorët dyshohet të kenë qenë vrasës me pagesë.