Një fenomen i ri kriminal po përhapet në disa vende të Evropës, ku organizata të krimit të organizuar po përdorin adoleshentë si vrasës me pagesë për të kryer atentate dhe sulme të dhunshme.
Rrjeti suedez i krimit Foxtrot akuzohet se ka rekrutuar të rinj përmes rrjeteve sociale, duke i joshur me shuma parash dhe duke u dhënë udhëzime përmes aplikacioneve të komunikimit. Sipas autoriteteve, mënyra e rekrutimit është ndërtuar si një “lojë”, ku të rinjtë marrin detyra dhe udhëzime hap pas hapi.
Një nga rastet që ka tronditur autoritetet është ai i 18-vjeçarit suedez Atilla Azimov, i cili u dënua me burgim të përjetshëm pasi vrau gabimisht një 20-vjeçar në periferi të Stokholmit. Sipas hetimeve, ai ishte punësuar nga rrjeti Foxtrot për një pagesë financiare.

Autoritetet suedeze dyshojnë se ky rrjet ka qenë i përfshirë në dhjetëra vrasje dhe sulme që prej vitit 2022, ndërsa hetimet kanë zbuluar edhe lidhje të dyshuara me interesa të regjimit iranian për disa operacione në Evropë.
Një tjetër rast është ai i norvegjezit Johannes Natland, i cili u dënua për planifikimin e një vrasjeje në Britaninë e Madhe. Hetuesit zbuluan se ai ishte kontaktuar online, i ishin siguruar udhëzime për armët dhe vendndodhjen e objektivit, por u arrestua para se të kryente sulmin.

Sipas Europolit, fenomeni i njohur si “Vrasja si shërbim” (Violence as a Service – VaaS) po përfshin gjithnjë e më shumë vende evropiane. Një task-forcë e posaçme që përfshin 11 shtete po heton rrjetet që rekrutojnë të rinj të cenueshëm për akte kriminale.
Ekspertët paralajmërojnë se grupet kriminale po synojnë gjithnjë e më shumë moshat e reja, pasi ata janë më të lehtë për t’u manipuluar dhe shpesh nuk mendojnë për pasojat ligjore.
Pavarësisht arrestimeve të disa figurave kryesore të rrjetit Foxtrot, autoritetet thonë se modeli i rekrutimit të adoleshentëve për dhunë po kopjohet edhe nga grupe të tjera kriminale në Evropë./Top Channel