Vetëvendosje i propozoi dy kandidate për presidente pa marrëveshje paraprake me partitë opozitare. Kësisoj, PDK, LDK dhe AAK, bojkotuan seancën. Krahas tyre, munguan edhe dy deputetë të koalicionit qeverisës nga Lista Guxo, Afërdita Hajrizi dhe Haxhi Avdyli.
Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk ishin të pranishëm dy të tretat e deputetëve.
Në seancë ndodheshin 64 deputetë, nga ky numër “63 deputetë votuan për Feride Rushitin, një votë e pavlefshme dhe zero vota për Hatixhe Hoxha”, njoftoi Salih Zyba i VV-së.
Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit, njoftoi mbylljen e seancës dhe vazhdimin e saj për nesër në orën 10:00.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka dënuar ashpër përpjekjen për ta çuar përpara zgjedhjen e Presidentit pa përmbushjen e kuorumit të kërkuar kushtetues.
Sipas KDI-së, një veprim i tillë cenon drejtpërdrejt themelet e rendit kushtetues dhe funksionimin e demokracisë parlamentare në vend.
“Vendimet dhe praktika e Gjykatës Kushtetuese kanë sqaruar qartë standardin që duhet ndjekur, sipas së cilit përcaktohet që procedura e zgjedhjes së Presidentit kërkon pjesëmarrjen e së paku dy të tretave të të gjithë deputetëve në raundin e parë dhe të dytë të votimit, ndërsa vetëm pas përmbushjes së këtij kushti procedura vazhdon në raundin e tretë”.
“Çdo tentativë për ta anashkaluar këtë rend kushtetues dhe për të zgjedhur Presidentin me një numër të kufizuar deputetësh në sallë përbën shkelje të hapur të Kushtetutës dhe deformim të qëllimshëm të parimeve kushtetuese. Për më tepër, nuk ekziston asnjë bazë juridike që lejon uljen e kuorumit mbi bazën e pretendimeve për mungesën e deputetëve”.
“KDI vlerëson se kjo qasje krijon një precedent të rrezikshëm dhe hap rrugë për interpretime të njëanshme të rregullave kushtetuese. Prandaj, KDI u bën thirrje deputetëve që të respektojnë standardet kushtetuese dhe të shmangin veprime që thellojnë krizën institucionale. Po ashtu, atyre u bëjmë thirrje edhe që të ndalojnë çdo veprim që cenon rendin kushtetues dhe të rikthehen në respektimin e plotë të procedurave kushtetuese”, thuhet në reagim.