Viktima të lakmisë - Gazeta Express
string(18) "viktima-te-lakmise"

Viktima të lakmisë

OP/ED

Gazeta Express

24/02/2023 14:08

Familjarë të viktimave në Turqi po i fajësojnë ndërtuesit për pasojat e tërmetit të tmerrshëm. Mijëra vetë vdiqën nën rrënoja, si viktima të lakmisë. Lakmisë së biznesmenëve për të cilët, ngjashëm si në Kosovë, jeta e njerëzve vlen shumë pak, krahasur me përfitimet financiare.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Osman Demirel është një banor i qytetit Kahramanmaras në Turqi. Ai ka humbur tre fëmijët e tij nga tërmeti i fundit atje. I pllakosur nga dhimbja që ka përjetuar, ai thotë se fëmijët e tij dhe më se 50 mijë të tjerë të vdekur janë viktima të lakmisë.

“Ne jemi bërë viktima të lakmisë dhe ambicieve tona. Kemi paguar mijëra lira për shtëpitë që nuk vlejnë aq shumë. Prandaj jemi bërë viktima të mosmirënjohjes dhe lakmisë sonë. Zoti na kujtoi se është pronar i pronës”, iu ka thënë ai gazetarëve.

Si pasojë e tërmetit, ndërtesa gjashtëkatëshe, në të cilën banonte familja e tij, u shkatërrua plotësisht. Demirel shpëtoi, pasi në atë kohë gjendej në punë. Por, tre fëmijët e tij humbën jetën nën rrënoja.

Tërmeti shkatërrues në Turqi e Siri tronditi edhe Kosovën. Mijëra banesa të ngritura dy dekadat e fundit vazhdojnë të jenë shqetësim sa iu përket kritereve dhe cilësisë së ndërtimit. Vazhdimisht është diskutuar dhe diskutohet se çfarë mund të jenë pasojat e një tërmeti të ngjashëm si ky i Turqisë e Sirisë në Kosovë.

Veçanërisht në Prishtinë, lagje të tëra ndërtesash janë ngritur në hapësira, në të cilat dikur ishte i ndaluar ndërtimi. Shto kësaj cilësinë e dobët të banesave dhe tejkalimet në plane, është i kuptueshëm shqetësimi i qytetarëve.

Një problem tjetër në mbarë vendin, veçanërisht në kryeqytet, janë intervenimet që janë bërë në strukturat e ndërtesave të vjetra për t’i shndërruar banesat në lokale afariste, gjë që i ka dobësuar ato.

Ndërkaq, pjesa dërmuese e ndërtimeve të reja karakterizohen me probleme në të gjitha aspektet. Lakmia e ndërtuesve ka bërë që të shfrytëzohet edhe milimetri i fundit për ndërtim, pa iu ofruar qytetarëve mundësi të tjera për një jetë normale. Sot shumica e qytetarëve që kanë blerë banesa jetojnë brenda katër mureve, të privuar nga gjërat tjera që e bëjnë jetën, siç janë hapësirat e gjelbra, hapësirat e lojërave për fëmijë e të ngjashme.

* * *

Jo vetëm shumica e ndërtuesve, por edhe biznismenë të tjerë nuk e kanë fort dert që të tregohen të pashpirt e të paarsyeshëm në situata të ndryshme. Të freskëta janë kujtimet nga koha e pandemisë, kur çmimet e artikujve ushqimorë u rritën me të madhe, ashtu si dhe vitin e fundit prej se nisi lufta në Ukrainë. Lakmia për përfitime marramendëse ua humb arsyen, duke i shndërruar në qenie pa pikën e empatisë.

Ata nuk e kanë dert që ofrojnë në treg prodhime të skaduara afati, që mund të shkaktojnë pasoja të mëdha tek qytetarët. Nuk e kanë dert as që, shkaku i lakmisë pa fund, të rrezikojnë jetën e qytetarëve. Këtu bëjnë pjesë edhe kategori të tjera që luajnë me jetë njerëzish vetëm për të përfituar materialisht.

Dhe, në gjithë këtë situatë, qoftë me kaosin e ndërtimeve, qoftë në fusha të tjera, përgjegjësinë kryesore e ka shteti. Më mirë thënë, mungesa e mbikëqyrjes nga shteti.

Të tillë njerëz, që shohin vetëm euro, shfrytëzojnë dobësinë e shtetit, dobësinë e institucioneve për të përfituar pa marrë parasysh dëmet që i shkaktojnë. Të tillët shfryëzojnë situatat e vështira për t’u pasuruar edhe më shumë, sepse nuk e kanë frikën e ndëshkimit.

Sa e sa punëtorë vdesin në vendin e punës, veçanërisht në industrinë e ndërtimit, sepse punëdhënësit nuk kujdesen sa e si duhet për ta. Nuk kujdesen për kushtet e tyre të punës, për masat mbrojtjesë. Nuk kujdesen për jetë njerëzish, sepse qëllimin kryesor e kanë përfitimin e sa më shumë parave në kurriz të të tjerëve.

Përderisa shteti nuk ndërmerr masa për të vënë rend e rregull, për të zbatuar ligjin, viktima do të jenë të dobëtit që nuk i mbron askush. Ata që janë në shërbim të lakmitarëve dhe që në një moment mund të shndërrohen në viktima të lakmisë.

Osman Demirelit në Kahramanmaras i mbetet t’i vajtojë fëmijët që i vdiqën nën gërmadha. E në Kosovë mbetet veç shpresa e secilit, që të mos shndërrohet në një Osman.