Vijmë nga dhuna, marshojmë drejt dhunës - Gazeta Express
string(38) "vijme-nga-dhuna-marshojme-drejt-dhunes"

OP/ED

Gazeta Express

03/11/2022 9:12

Vijmë nga dhuna, marshojmë drejt dhunës

OP/ED

Gazeta Express

03/11/2022 9:12

Ky rast, dhe shumë raste tjera, janë simptoma të një sëmundjeje të shoqërisë që është duke u kalbur nga brenda. Njerëz që jetojnë, pothuajse, pa asnjë vlerë, pa asnjë qëllim. Njerëz që kanë përgjigjje për çdo problem që e prokupon njerëzimin, por që nuk janë në gjendje së paku të krijojë një rrjet funksional të kanalizimit për ujëra të zeza. Njerëz që për dekada ishin dhunuar nga të tjerët, tani kanë filluar ta dhunojnë njëri-tjetrin. Nga i gjithë ky yrysh mosdurimi ndaj tjetrit të krijohet përshtypja se jemi në kërkim të një dhunuesi të ri

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Shoqëritë që kishin dalë nga regjimet totalitare kishte filluar t’i brente ndërgjegjja. Këto shoqëri kishin filluar t’i shtronin pyetje vetes: “Çfarë ndodhi me ne? Pse u gjendëm në ato situata?”. Dhe pyetje tjera që ngrinin dilema fundamentale. Psikanaliza kishte filluar t’i trajtonte shkaqet, jo vetëm të ardhjes së Hitlerit në pushtet, por edhe arsyet se pse shoqëria gjermane ishte në një trans të tillë. Ç’bëmë në kur erdh diktatori? Ç’bëmë ne kur e keqja ia behu? Pse nuk folëm kur tjetri u dhunua? Shoqëritë që nuk i shoshitin dilema të tilla, mbeten shoqëri të paçliruara. Ato edhe mund të duken normale, por të tilla nuk janë? Një shembull tipik është shoqëria shqiptare, e cila pas rënies së diktaturës enveriste, e nën të cilën kishte jetuar pa ngre kokën seriozisht asnjëherë, nuk është distancuar qartësisht, prandaj efektet e asaj kohe i ndien gjithandej nëpër Shqipëri tek shfaqen herë pas here në format më vulgare.

Tek ne në Kosovë kishte një proces shumë më ndryshe. Ne ishim të dhunuar nga një aparat që nuk ishte yni. Ishim të përjashtuar vetëm për faktin se ishim ndryshe nga dhunuesi, ishim shqiptarë. Sulmi që na bëhej në përkatësinë tonë vetëm sa na e forconte qenien identitare përbrenda. Përpiqeshim me çdo kusht të theksonim shqiptarizmën, edhe me kushtin e vdekjes madje. Kjo na dallon me shoqërinë shqiptare të Shqipërisë, sepse atje dhunuesi nuk ishte i huaji, por ishte njëri prej tyre. Okupimi në Kosovë shpërfaqte krizën nën okupim që kishim, por jo krizën identitare dhe si rrjedhim dhe atë morale. Frikësoheshim, por nuk dorëzoheshim. Paslufta, sidomos, solli një trend më ndryshe dhe për shumë shkaqe tanimë gjërat ecnin më me shpejtësi dhe plasaritjet vërehen më pak. Duke qenë se ishim të ndrydhur shumë gjatë, e sidomos në dekadën e fundit të okupimit, dalja në liri hapi shtigje të panjohura dhe forma të ndryshme sjelljesh që nuk mund të paramendoheshin dikur. Sa më shumë që rrimë bashkë, aq më pak e njohim njëri-tjetrin, thoshte Hermann Hesse. Siç duket, okupimi na kishte mbajtur aq fort bashkë sa që nuk e njohim njëri-tjetrin sot.

Nga pas lufta e deri më sot, sa më shumë që po ashpërsohej lufta për pushtet aq më shumë filluan të shfaqen forma çoroditëse në shoqëri. Një shoqëri që kishm dalë edhe nga burgu mediatik, u futëm në botën e pafundme që po ofronte interneti. Kjo dalje ngjante sikur kur njeriu del nga një shpellë e errët në dritën përcëlluese të diellit, ku për një kohë të caktuar nuk mund të shohë. E vërteta është se nëpërmes internetit shihnim botë e munguar, por nuk shihnim veten tonë. Ajo tanimë na kishte humbur, dhe vazhdon të ikë nga ne sikur hijet që zhduken në muzg. Gjithçka na dukej si ëndërr.

Fuqia që dikur kishim për ta mbrojtur njëri-tjetrin nga armiku i përbashkët, sot me tërë vëllimin e saj pothuajse është kthyer ndaj njëri-tjetrit. Urrehemi deri në dehumanizim (Shihni rastin e kryesindikalistit të arsimit, të cilin një shoqëri e tërë histerike zbrazi frustrimet ndaj tij deri ne dehumanizim). Çdo mendim i lirë që nuk përkon me shumicën hipokrite, i nënshtrohet gjyqit publik moral. Nëse dëshirojmë ta ndiejmë më qartë, le t’i hedhim një sy kopesë së militantëve të partive politike, që vjellin vrer mbi kundërshtarët politikë. Shihni militantët e kauzave të tjera se si e marrin në dorë atributin e gjyqtarit – që nga nacionalistët recidivistë, majtistët që i nxjerrin damaërt e fytit sa një kutë për paga sa më të majme, nacional-socialistët, djathtistët me prirje socialiste, analistët politikë militantë, gazetarë që lidhin kurorë me politikën, profesorët plagjiatorë që mbajnë ders se kah duhet të shkojë shoqëria, hoxhollarë që na tregojnë shartet e demokracisë, e deri te feminizmi histerik. Nëse Irani ka polici (reale) të moralit, ne kemi polici virtuale të moralit. I tërë ky konglomerat i përçudnuar shoqëror është tregues se jemi në krizë të thellë.

Kjo sallatë shoqërore që lind përbindsha, hove-hove ushtron terror mbi njerëzit. Dhunohet një 11 vjeçare nga një tufë maskarenjësh, nëpër Facebook defilojnë komente që thonë se vet e ka lyp?, dhe komente të tilla marrin pëlqime nga të tjerët. Prandaj, në këtë rast shtrohet pyetja se kush është më kriminel, ai që kryen veprën, apo ai që pëlqen publikisht atë krim?! Vetëm një fije e hollë mund t’i ndajë edhe ata nga të qenit vrasës. Vijmë te pyetja se ç’bënin ata/ato punonjës/e kur infermierja godiste me gjakftohtësi një të moshuar?! Pse nuk e ndalonin, ose pse nuk e denonconin, mirëpo, kishin zgjedhur që edhe ato ta godisnin atë të moshuar me zgërdhirjet e tyre plot zbavitje. Nga zgërdhirjet e tyre të krijohet përshtypja se secila nga to dikur ka ushtruar dhunë ndaj atyre të moshuarve, sikurse infermieria në video. Ky rast, dhe shumë raste tjera, janë simptoma të një sëmundjeje të shoqërisë që është duke u kalbur nga brenda. Njerëz që jetojnë, pothuajse, pa asnjë vlerë, pa asnjë qëllim. Njerëz që kanë përgjigjje për çdo problem që e prokupon njerëzimin, por që nuk janë në gjendje së paku të krijojë një rrjet funksional të kanalizimit për ujëra të zeza. Njerëz që për dekada ishin dhunuar nga të tjerët, tani kanë filluar ta dhunojnë njëri-tjetrin. Nga i gjithë ky yrysh mosdurimi ndaj tjetrit të krijohet përshtypja se jemi në kërkim të një dhunuesi të ri.