Njëzet e pesë mace të bllokuara në një qendër tregtare në Japoni, e cila u dëmtua rëndë nga një shpërthim pas një tërmeti të fortë, janë shpëtuar, tha menaxheri i objektit të enjten.
Macet ishin në objektin Cat Cafe MOFF në katin e parë të Aeon Mall në Kashima kur tërmeti me magnitudë 7.1 goditi zonën të martën.
Qendra tregtare u evakuua dhe punonjësit u kthyen për të tërhequr kafshët. Mirëpo, më pas ndërtesa është tronditur nga një shpërthim i fortë, i cili supozohet se është shkaktuar nga rrjedhja e gazit, për këtë arsye u është dashur të tërhiqen sërish urgjentisht, shkruan AFP.
Të paktën 34 njerëz vdiqën nga tërmeti, sipas autoriteteve në rajonin jugperëndimor japonez të Kumamoto.
Të mërkurën, menaxheri i kafenesë, me miratimin e zjarrfikësve, policisë dhe menaxhimit të qendrës tregtare, hyri në ndërtesën e dëmtuar dhe shpëtoi me sukses të 25 macet.
Kafshët u transportuan të njëjtën mbrëmje në Hiroshima, ku kompania operon një tjetër kafene macesh.
Kompania deklaroi se ishin të shqetësuar për rraskapitjen pas udhëtimit të gjatë, por se çdo mace iu kushtua kujdes i veçantë pas mbërritjes dhe se ata janë të qetë dhe në një gjendje të qëndrueshme.