Një figurë e lartë ushtarake iraniane ka paralajmëruar vendet që zbatojnë sanksione ndaj Iranit se ato do të “përballen me probleme” kur anijet e tyre të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, raportuan mediat shtetërore të dielën, shkruan CNN.
“Që tani e tutje, vendet që ndjekin Shtetet e Bashkuara në zbatimin e sanksioneve kundër Republikës Islamike të Iranit, sigurisht që do të përballen me probleme gjatë kalimit përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha gjeneral brigade Amir Akraminia, zëdhënës i Ushtrisë.
SHBA-ja ka vendosur një gamë të gjerë sanksionesh ndaj Iranit prej dekadash, duke ushtruar një presion mbytës mbi ekonominë e Teheranit. Një sërë vendesh të tjera, përfshirë bllokun e Bashkimit Europian, Britaninë dhe Australinë, kanë ndjekur të njëjtën rrugë, duke shprehur shqetësime rreth programeve të armëve të Teheranit, bilancit të të drejtave të njeriut dhe financimit të grupeve militante.
Më herët gjatë luftës, Teherani ka kërcënuar anijet e lidhura me vendet që ofronin mbështetje për sulmet ushtarake amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.
Një numër vendesh kanë diskutuar gjithashtu një përpjekje të përbashkët për të mbrojtur transportin detar në këtë rrugë ujore kritike për tregtinë globale, mbi të cilën Irani ka ushtruar kontroll që nga fillimi i luftës. Britania tha dje se do të dislokojë një anije luftarake në Lindjen e Mesme përpara një misioni të mundshëm për mbrojtjen e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit.