Emisioni hulumtues me titull “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, zbuloi një proces të dyshimtë të ndryshimit të kufijve të disa parcelave, përfshirë edhe pronën publike në Viti.
Bashkimi i pronës publike në rrugën “UÇK” në këtë komunë, me atë private i ka hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi shumëkatësh, që tashmë është realizuar nga Nexhmedin Haliti, vëllai i kryetarit të komunës, Sokol Haliti.
Nexhmedin Haliti, i cili nuk pranoi intervistë, por në një bashkëbisedim me gazetaren e “Betimit për Drejtësi” thotë se janë bërë marrëveshjet me pronarët e tokave për bashkëinvestim.
Bazuar në dokumentet që ka siguruar Betimi për Drejtësi, Haliti kishte nënshkruar kontrata tek noteri për themelimin e bashkëpronësisë dhe bashkëinvestimit me 10 pronarët e parcelës, ku tashmë është ndërtuar objekti shumëkatësh. Sipas Halitit, prona publike më parë ka qenë e pronarëve privat, por që siç thotë ai të njëjtit e kanë kthyer në publike me qëllim që të asfaltohej.
“Këto parcela, së pari janë parcela private, pronarëve, tokave, Janë bërë marrëveshje për bashkëinvestim me pronarë e tokave. Janë gjashtë pronarë të tokave, duke përfshi edhe toka, ato shtëpia, ato që janë duke u prish. Këtu ka qenë një rrugë kjo rrugë, rrugë bile e kam lënë ashtu kështu prapë rrugë për qasje në kompleks.
Gazetarja: A nuk ka me u mbulu kjo pjesë a?
Haliti: Jo hiç, kjo rrugë ka shku te këto dy shtëpia. A po e sheh ajo shtëpi dhe ajo shtëpi që kanë hy edhe këta ndërtim ky bëhet tash krejt kompleks. Kjo rrugë bile ka qenë përpara rrugë private e këtyre dy shtëpive se s’ka shku kërrkund, po këta pronarët e tokave kanë pas bë më herët e kanë qitë në pronë publike për me u shtru kishe asfalt. Tash kanë hy në bashkë investim krejt.
Gazetarja: Pronarët, këta pronarë më herët kanë dashtë që kjo me u bë rrugë a?
Haliti: Po, po. Kjo rrugë i ka shërbyer veç këtyre dy shtëpive, E ne çka kena bë? Kena bë kërkesë ne si kompani, kjo rrugë me u bë vetëm korrigjim i kufirit, me u qitë në rrugë përpara, në rrugë kryesore”.
Haliti, thotë se çështja është vetëm nëse është dashur apo jo të kalojë përmes Kuvendit Komunal procedura.
“Haliti: Kjo rrugë ka kalua atje përpara në rrugë kryesore a po kupton, veç u bë korrigjim i kufirit. Dokumentacioni, Kadastri e ka bërë këtë punë e tash esenca është a është dashtë me kalu me kalu përmes kuvendit.
Gazetarja: Po duke e marrë parasysh që vëllai juaj është kryetar a mendoni që ka mujtë me ndërhy?
Haliti: Atëherë edhe vëllai im e ka shkel ligjin tu përshi edhe 10 të tjerë shembull, ama unë çka ajo është e pamundur mbaje mend këtë fjalë, manëm për fjale në të ardhmen. Është e pamundur, qysh guxojnë për shembull zyrtarët ligjor me shkel ligjin, ka jurista, ka edhe asi edhe nuk u shkel ligji me bindjen më të madhe kurrgjë absolut se ajo pronë nuk u marrë, nuk u vjedhë, nuk u bërë kurgjë. Ajo pronë ka kalu në rrugë kryesore që përfiton komuna, u zgjeru rruga, rruga kryesore. Kjo është anësore, dytësore që s’ka shku kërkund”.
Tutje Haliti, tregon se disa nga pronat kanë qenë të kushëririt dhe dajës së tij.
“Njëri pronar prej tokave është kushëri i imi, tjetri këtu që ka qenë është bash daj i imi edhe tash janë inicu senet, a po e merr tokën tem, a po e merr edhe qeshtu”, tha Haliti.
I pyetur nëse gjatë këtyre diskutimeve ka qenë i pranishëm edhe kryetari Sokol Haliti, ai thotë se se nuk ka të bëj asgjë vëllai i tij me çështjen.
“Qe 20 vite jam i ndarë prej Sokol Halitit, prej vëllait tim. Ne jemi vëllezër, por jemi të ndarë me ekonomi, ai i ka 60 vjet”, u shpreh tutje Nexhmedin Haliti.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, T7dhe Gazeta Express