Një hulumtim i “Betimi për Drejtësi”, zbulon një proces të dyshimtë të ndryshimit të kufijve të disa parcelave, përfshirë edhe pronën publike në Viti.
Bashkimi i pronës publike në rrugën “UÇK” në këtë komunë, me atë private i ka hapur rrugë ndërtimit të një kompleksi shumëkatësh, që tashmë është realizuar nga Nexhmedin Haliti, vëllai i kryetarit të komunës, Sokol Haliti.
Përveç çështjes së parcelës, Nexhmedin Halitit, për fillimin e ndërtimit të objektit i’u ishte lëshuar edhe një vendim nga Drejtoria e Inspkesionit në Komunën e Vitisë.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Haliti më 22 korrik ishte obliguar që të rrënoj ndërtimin e objektit të ndërtuar.
Paraprakisht, me datë 9 korrik 2025, ishte konstatuar fillimi i ndërtimit të objektit pa leje ndërtimore.
Halil Musliu, drejtor i Inspeksionit të Komunës së Vitisë gjatë asaj periudhe, ka thënë se vendimi për rrënim ndoshta ka qenë i ngutshëm.
“Vendimi për rrënim realisht ndoshta ka qenë pak edhe i ngutshëm a po kupton në kuptimin se pala ka pasur afat 30 ditor edhe ato punimet që i ka zhvilluar domethënë kanë qenë në domenin e sigurisë së atyre punimeve fillestare, kështu që nuk ka pasur ndonjë arsye”, u shpreh Musliu.
Tutje, Musliu tregon se pronari Haliti është pajisur me leje ndërtimore brenda afateve.
“Problemi është se inspektori ka konstatuar se ka filluar punët si kompani pa e marrë lejen e ndërtimit edhe pse më vonë është dalë se ai ka qenë në procedurën e pajisjes me leje dhe kur ka dalë herën e dytë inspektori ka vërejtur se po vazhdojnë punimet dhe ka pru një vendim për rrënim. Po në realitet pala ka qenë e pajisur me lejen ambientale dhe me pagesat për pajisje me leje, domethënë ka qenë në procedurën e pajisjes me leje edhe ka pasur prej vendimit të parë një afat 30 ditë brenda atij afati ai veç edhe formalisht domethënë e ka sjellë dhe kopjen fizike. Për shkak se kur e kemi bërë atë vendim të nesërmen pala na i ka dokumentu se domethënë se e ka pajisje për leje dhe se i ka pagesat dhe ne i kemi dhënë duke e pas parasysh gjendjen faktike i kemi dhënë domethënë e kemi pritur afatin 30 ditor dhe brenda atij afati ai është pajisur me leje dhe ka vazhduar ndërtimin”, ka thënë tutje Musliu.
I pyetur për vendimet e Inspektoratit për rrënim të objektit, Nexhmedin Haliti, ka thënë se i’u është vonuar leja fizike apo e shkruar.
“Kur kam fillu në fillim derisa, lejen nuk e kam pas, por taksën e kam pasë të pagume, por mu ka vonu leja fizike e shkruar, leja e ndërtimit, dy javë”, theksoi Haliti.
Në anën tjetër, ish-drejtori Musliu, i pyetur nëse ka qenë në dijeni se ndërtimi i objektit është duke u bërë nga vëllai i kryetarit, thotë se Nexhmedin Halitin e njeh personalisht, por që kjo nuk
“Vërtetë unë realisht më vonë kam marrë vesh edhe pse e njoh kështu personalisht…E njoh se ka rastis rasti që unë jam i të njëjtit fshat me këtë kompani. Tash paramendoni nëse ti je i të njëjtit fshat dhe e di se është vëllai kryetarit dhe merr kësi masa rigoroze domethënë një vendim për rrënim edhe pse domethënë realisht ka mujtë u shmang ky vendim për shkak të verifikimit të gjendjes praktike. Domethënë shihet se nuk ka kurrfarë interferimi as shoqëror e as kështu institucional”, u shpreh Haliti.
Betimi për Drejtësi, ka dërguar pyetje në Prokurorinë Speciale të Kosovës lidhur me këtë çështje, por deri në publikimin e emisionit nuk ka marrë përgjigje.
Zyrtarët e Komunës së Vitisë insistojnë se çdo veprim është ndërmarrë në përputhje me ligjin, në anën tjetër japin versione të ndryshme për përgjegjësitë.
Asnjëri nga ta nuk merr përgjegjësi për aspektin ligjor apo juridik, duke e lënë të paqartë se kush në të vërtetë garanton ligjshmërinë e procesit.
Mungesa e trajtimit të pronës publike në Kuvend Komunal ngre pikëpyetje serioze, sidomos kur në këtë proces është i përfshirë vëllai i kryetarit Sokol Haliti.
Për më shumë, ndiqeni hulumtimin “Kalimi i dyshimtë i pronës për shumëkatëshin e vëllait të kryetarit në Viti”, i cili transmetohet në Betimi për Drejtësi, T7dhe Gazeta Express