Vdekja e Fadil Syleviqit, reagon mbesa e Hafir Shalës - Gazeta Express
string(52) "vdekja-e-fadil-syleviqit-reagon-mbesa-e-hafir-shales"

Lajme

Gazeta Express

16/01/2021 9:26

Vdekja e Fadil Syleviqit, reagon mbesa e Hafir Shalës

Lajme

Gazeta Express

16/01/2021 9:26

Policia e Kosovës dje ka konfirmuar se është gjetur i vdekur ish-pjesëtari i Policisë, Fadil Syleviqi.

Pas vdekjes së Syleviqit ka reaguar mbesa e ish-mjekut të UÇK’së, Sebahate Shala, raporton Express.

Lexo Edhe:

Ndaj  të ndjerit kishin rënduar akuza publike si bashkëpunëtor i regjimit serb nga famililja e gazetarës Shala e cila tashmë jeton në ShBA.

Kjo familje akuzonte aso kohe Syleviqin për zhdukjen e doktorit të UÇK-së, Hafir Shala. 

Sebahate Shala në llogarinë e saj në Facebook ka treguar se i ndjeri Syleviq në vitin 1998 kishte arrestuar Hafir Shalën dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, dhe e kishte dorëzuar në ndërtesën e SUP-it në Prishtinë.

“Dihet publikisht qe Suleviq e kishte arrestuar axhen ne prill te vitit 1998, duke e ndare ate nga dy bashkeudhtaret dhe deshmitaret, Hetem Sinani dhe Shaban Neziri, dhe e kishte dorezuar ne ish ndertesen e SUP-it ne Prishtine. Hetemi dhe Shabani ishin liruar pas 6 oresh, axha jo. Ata kane deshmuar se i kishin degjuar britmat e Bacit Fil si pasoje e tortures se ushtruar ndaj tij. Qe nga atehere, asgje nuk dihet per fatin e tij”, ka shkruar mes tjerash Shala.

Ndryshe, ish-zyrtari i Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqi, është gjetur dje i vdekur në mal, në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Lajmin për vdekjen e tij e konfirmoi për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, ka thënë Krasniqi.

“Ne vendngjarje mjekët kanë konstatuar se trupi i viktimës është  i pajetë. Viktima është: F.S, mashkull. Ekipe të hetuesisë dhe krim-teknikës edhe në këto momente janë duke shikuar vendin e ngjarjes. Për informata të reja do t’ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Për këtë rast është deklaruar dje edhe Kryeprorkurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi.

Munishi ka treguar se ai është gjetur i vdekur në mal.

“Prokurori është nisur në vendin e ngjarjes për të parë se çfarë ka ndodhur. Policia është në vendin e ngjarjes. Ai është gjetur diku në mal i vdekur”, ka thënë Munishi 

Por çfarë kishte thënë Syleviqi në një deklarim të fundit që e kishte pasur për media?

Ai ishte kontaktuar nga Gazeta Express, pasi gazetari Milaim Zeka kishte publikuar një foto të tij ku shihej bashkë me Salih Mustafën e arrestuar nga Gjykata Speciale.

Në një prononcim për Gazetën, ish-hetuesi kishte thënë që fotografi ishte më e vjetër se një vit.

“Ajo fotografi është një vit e vjetër sigurisht, mezi e identifikova cili është ai vend. Është foto shumë e vjetër. Nuk kam koment diçka lidhur me të”, thotë ai, teksa shton se sa i përket Speciales nuk ka pasur kontakt me Mustafën.

“Unë në atë drejtim nuk kam pasur kontakte”, kishte thënë ai.

Express e kishte pyetur Syleviqin nëse ka marrë ftesë për intervistim nga Specialja. Ai ka bërë të ditur se nuk prononcohet më shumë për këtë temë, duke shtuar se deri më tani nuk ka ftesë.

“Këto janë personale, nuk jam për me u prononcu, thjesht nuk kam ftesë, këtë mundem me thanë me tepër jo”, kishte thënë ai.

Ndryshe, Syleviqi ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa emri i tij është i njohur sepse ka qenë pjesë e akuzave publike. Vëllëzërit Ramadani dhe Kiqina, të dënuar për vrasjen e pesë anëtarëve të familjes Hajra në vitin 2001, e kanë akuzuar Syleviqin se ua ka montuar rastin./Gazeta Express