“Vallëzimet e arinjve”, rituali misterioz në Rumani - Gazeta Express
string(48) "vallezimet-e-arinjve-rituali-misterioz-ne-rumani"

“Vallëzimet e arinjve”, rituali misterioz në Rumani

Mistere

Gazeta Express

27/02/2021 1:35

Një grup me njerëz të veshur si arinj, zbukuruar me thekë të kuqe, duke kaluar nëpër rrugët me dëborë dhe që vallëzojnë mund të jetë diçka e pazakontë për këdo, por për banorët e një qyteti të vogël rumun, në rajonin e Moldavisë lindore, është krejt normale.

Njerëz të veshur me lëkurë ariu të vërtetë, për vendasit nënkupton një kohë festimi. Ngjarja zhvillohet çdo vit, zakonisht midis Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, por edhe gjatë festave të tjera lokale, përgjatë dimrit.

Kjo ceremoni është një traditë që, deri vonë, e kanë ndjekur dhe kremtuar pak komunitete rurale në zona të thella të Luginës së Trotusit. Por, një seri fotografish të realizuara nga një fotografe me origjinë rumune, që jeton në Amerikë, Diana Zeyneb Alhindawi, e kanë bërë këtë ritual misterioz më të njohur për një audiencë të gjerë.

“Vallëzimet e arinjve janë një nga kujtimet e mia më të bukura të fëmijërisë. Është një ngjarje e zakonshme në ato fshatra të thella. Megjithëse nuk shfaqet në fotografi, valltarët përpiqen të duken të egër dhe të frikshëm gjatë vallëzimit”, u shpreh ajo për CNN Travel.

Imazhet tregojnë burra dhe gra veshur me lëkurë ariu, që parakalojnë nëpër rrugët e qytezës së vjetër. Festimet shoqërohen me muzikë, konsumim duhani dhe pijesh alkoolike. “Ariu” që vallëzon ka për qëllim të largojë shpirtrat e këqij.

Mendohet se zanafilla e këtij riti të jetë në kohën kur ciganët lokalë, zbrisnin në qytete, nga pyjet në të cilat jetonin, duke sjellë me vete arinj të vërtetë. Qytetarët paguanin ciganët për arinjtë e vegjël, të cilët iu kërcenin në kurriz, për t’iu kuruar dhimbjet e shpinës. Kjo gjë mendohet se është bërë deri vonë, por nuk dihet saktësisht se si u kalua nga arinjtë e gjallë që ecnin mbi shpinën e njerëzve, te njerëzit e veshur si arinj. Tradita bëhet e vështirë për t’u përcaktuar edhe për faktin sepse romët nuk e shkruajnë historinë e tyre.

Gjithsesi, kjo traditë po vjen gjithmonë e në zbehje, për arsye se shumica e banorëve që jetojnë në këto zona të thella rurale, po largohen drejt qyteteve. Nga ana tjetër, përdorimi i lëkurës së arinjve po bën që të vihen gjithmonë në rrezik dhe ndaj, vitet e fundit, ka pasur politika të shumta për të ndaluar këto festime.