Vaksinimi lë shumë sporte jashtë palestrave, kampionatet në pikëpyetje! - Gazeta Express
string(69) "vaksinimi-le-shume-sporte-jashte-palestrave-kampionatet-ne-pikepyetje"

Vaksinimi lë shumë sporte jashtë palestrave, kampionatet në pikëpyetje!

Sport

Endrit Jashari

17/08/2021 14:28

Organizatat sportive në Kosovë janë shumë të shqetësuara që palestrat sportive janë zënë nga Ministria e Shëndetësisë për vaksinimin e qytetarëve kundër Covid-19. Ato thonë se nuk po kanë ku të stërvitin për edicionin e ri garues, e as nuk po dinë se si t’ia bëjnë për t’i filluar kampionatet e reja të cilat prodhojnë edhe skuadra pjesëmarrëse për garat evropiane. Hallin e tyre e ka kuptuar veç Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Gjilanit, e cila ka kërkuar nga ministria të bëjë zgjedhje tjetër për vaksinim dhe të lirohet salla për gara sportive. Por, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë për Express se vaksinimi do të vazhdojë nëpër këto palestra sepse ky proces është prioriteti i parë shtetëror.

Përderisa sezoni i ri në sportet kosovare është pranë fillimit, federatat sportive janë në hall.

Lexo Edhe:

Vaksinimi i qytetarëve të Kosovës kundër COVID-19 ka filluar tash e disa muaj dhe po vazhdon pothuajse në të gjitha palestrat sportive nëpër komunat e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Ky pritet të jetë një problem i madh për sportet kolektive dhe individuale që zhvillojnë aktivitetin e tyre në palestra sportive.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar drejtoria e shëndetësisë e një komune të Kosovës. Bëhet fjalë për Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit. Ata kanë adresuar kërkesë për ndryshimin e lokacionit të qendrës së vaksinimit, pasi thonë se e kanë obligim ndaj klubeve të qytetit.

Selami Xhemaili, drejtor i Shëndetësisë në Gjilan tha për Express se u janë drejtuar me shkresë zyrtare dy herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit për Imunizim, por nuk kanë marrë përgjigje.

Ai thotë se kanë kërkuar që vaksinimi të bëhet në një palestër sportive të shkollës së mesme, pasi kanë presion nga klubet për lirimin e hapësirës.

“Kemi adresim si komunë përmes qendrës operative emergjente për ndërrimin e lokacionit të qendrës së vaksinimit, ne kemi obligim ndaj klubeve të qytetit. Ne i drejtohemi me shkresë që dy herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komitetit për Imunizim, por nuk kemi marrë përgjigje. Kemi kërkuar të na lejohet të bëhet vaksinimi në një palestër të sporteve në një shkollë të mesme. Ne kemi presion nga klubet për t’ua liruar hapësirën”, thotë ai.

“I kemi premtuar se nga 15 gushti do t’ua lejojmë hapësirën dhe i kemi bërë përgatitjet  Ka injorim total nga Ministria e Shëndetësisë dhe Komuniteti për Imunizim. Ministria na ka thënë neve ta caktojmë lokacionin për vaksinim. Vaksinimi në masë kur ka filluar ne jemi transferuar në sallën e sporteve. Por ne kemi kërkuar që vaksinimi të bëhet në 4-5 qendra të mjekësisë familjare. Na po kërkojmë që të transferohemi në një palestër të nje shkolle të mesme. Zyrtarisht ju kemi shkruajtur por nuk kemi përgjigje. Nuk kishim dashur ta shohim këtë situate”, u shpreh Xhemaili.

Por, Ministria e Shëndetësisë nuk është duke e menduar ndryshimin e lokacioneve për vaksinimin e qytetarëve, ndonëse kjo do të ndikonte negativisht në zhvillimin normal të aktiviteteve sportive.

“Vaksinimi njëherë për njëherë vazhdon në qendrat ku është duke u zhvilluar dhe është prioritet numër një për vendin tone” – tha zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti për Gazetën Express.

Përkundër kësaj, federatat sportive në krye me Komitetin Olimpik shpresojnë që do të gjendet një zgjidhje dhe sportet të zhvillojnë rrjedhën normale të aktiviteteve.

Ato pajtohen që vaksinimi është i rëndësishëm, por theksojnë se do të ishte hendikep i madh nëse nuk lirohen palestrat.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi për Express tha se MSH duhet të konsiderojë opsione tjera për lokacionin për vaksinim në mënyrë që federatat sportive dhe klubet të zhvillojnë aktivitetin e tyre në sallat sportive.

“Fillim i vaksinimit në Kosovë për mbrojtje ndaj Covid 19 ishte mirëpritur edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Mirëpo, bllokimi i sallave sportive, ku shumë sporteve ekipore dhe individuale iu është ndalur aktiviteti, përbën shqetësim për Komitetin Olimpik të Kosovës dhe gjithë komunitetin sportiv në vend. Andaj, konsideroj se është koha që Ministria e Shëndetësisë të bëjë një zgjidhje tjetër për lokacionin për vaksinim, në mënyrë që federatat sportive dhe klubet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nëpër sallat sportive”, deklaroi kreu i KOK-ut.

“Në lidhje me këtë ne do të bisedojmë edhe me institucionet përkatëse për të gjetur sa më parë një zgjidhje. Njëkohësisht, ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti sportistët që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për tu vaksionuar, proces ky të cilin ekipi olimpik i Kosovës e kishte përfunduar para nisjes drejt Lojërave Olimpike Tokio 2020”, u shpreh Krasniqi.

Të njëjtin mendim e kanë edhe federatat sportive. Sipas tyre, moslirimi i sallave do të ndikonte negativisht edhe në klubet që marrin pjesë në garat evropiane. Ishte Federata e Basketbollit e Kosovës që e para doli me një komunikatë për media, duke e lutur qeverinë që t’ua kthejë palestrat sportistëve.

Ndërkohë, sekretari i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Valon Nikqi tha për Express se nëse nuk lirohen palestrat, do të ishte hendikep i madh, por shpreson që Ministria e Shëndetësisë do të bëjë zgjidhje për këtë çështje.

“Në mbledhjen e ardhshme të bordit, do të merret vendimi për fillimin e sezonit të ri. Sipas të gjitha gjasave do të jetë fillimi i muajit tetor. Patjeter qe nëse nuk lirohen palestrat, do të ishte hendikep i madh, po shpresoj që MSH do të na mundësojë zhvillimin e aktiviteteve sportive. Kjo nuk na dëmton vetëm neve, por edhe sportet tjera që zhvillojnë aktivitetin e tyre në palestra”, tha Nikqi.

I të njëjtit mendim ishte edhe sekretari i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci. Ai tha se ka shumë objekte tjera ku mund të kryhet procesi i vaksinimit.

“Duke pasur parasysh se jemi në vlugun e garave evropiane për grupmoshat e reja dhe krejt fokusi ishte atje, për fillimin e Kampionatit të ri do të vendoset në fundjavë, mirëpo orientimisht do te jetë data 11/12 apo 18/19 shtatori. Nuk kemi pasur diskutime lidhur me sallat me ministritë përkatëse, por kjo është punë e KOK-ut te cilët duhet t’i drejtohen MSH dhe MKRS për lirimin e palestrave duke pasur parasysh se ka shumë objekte tjera në te cilat mund të kryhet procesi i vaksinimit. Duke pasur në mendje edhe faktin se në Prishtinë nuk mund të zhvillohen krejt aktivitetet kur qytetit i nevojiten edhe së paku 4 palestra për rrjedha  normale të zhvillimit të sportit. Po ashtu në muajin shtator dhe tetor, 8 skuadra marrin pjesë në garat e Kupave të EHF për edicionin 2021/22 dhe moslirimi i palestrave kishte me qenë hendikep i madh”, theksoi Gjinovci.

Kur edhe pak javë na ndajnë nga fillimi i sezoneve të reja, sportistët, klubet dhe federatat ende nuk e dine se ku dhe si do të zhvillohen aktivitetet sportive. /GazetaExpress/